Berisha do ta vijojë edhe më tej kontratën e lobimit me kompaninë amerikane Continental Strategy LLC, pavarësisht se prej 6 muajsh nuk ka asnjë shenjë pozitive për heqjen e njollës së zezë...
Një dokument zyrtar i depozituar në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara nga kompania amerikane Continental Strategy LLC, zbulon se Kreu i PD-së Sali Berisha vijon të lobojë ende për heqjen e ‘non-grata”-s.
Sipas një amendamentit të regjistruar në kuadër të Ligjit amerikan për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), kompania amerikane Continental Strategy LLC ka deklaruar të dhënat financiare për periudhën 24 shkurt 2025 – 31 gusht 2025, ku siç dihej, rezulton se ka ofruar shërbime lobimi edhe për Partinë Demokratike.
Në dokument pasqyrohet pagesa prej 750 mijë dollarësh e kryer nga Partia Demokratike për shërbime lobimi, për të ndryshuar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Berishës.
Por më interesant është fakti se në dokument nuk shënohet asnjë ndryshim mbi qëllimet, statusin apo përmbajtjen e marrëdhënies lobuese, (veprimi i detyrueshëm që duhet raportuar në Departamentin e Drejtësisë, nëse ka). Thënë ndryshe, në këto kushte Berisha do ta vijojë edhe më tej kontratën e lobimit me kompaninë amerikane Continental Strategy LLC, pavarësisht se prej 6 muajsh nuk ka asnjë shenjë pozitive për heqjen e njollës së zezë.
Pavarësisht së gjithave, këmbëngulja e Berishës për të vijuar lobimin duket edhe më i çuditshëm kur merr parasysh se Kongresi amerikan paraqiti vetëm disa ditë më parë një dokument të titulluar “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, ku ndër të tjera parashikohet edhe kodifikimi i sanksioneve që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
Referuar dokumentit, sanksionet mund të hiqen vetëm nga Presidenti amerikan, i cili duhet të bindë nënkomisionet përkatëse në Kongres për një veprim të tillë, çka tregon se është një proces jo thjesht, i gjatë, por edhe i komplikuar. Kështu që paratë e Berishës drejtuar kompanive lobuese të afërta me Trump-in, mund të rezultojnë një ‘vrimë në ujë’./Pamfleti
Mos mor burre! Akoma do na e lene turpin ne balle keta amerikanet. Harram I pac elozhet qe ti beme pa kursim o Trump