Për herë të parë në historinë e vendit, një ish-president shkon në qeli për afera korrupsioni...
Nga deputet, u bë kryeministër, pastaj kryetar Kuvendi dhe në fund President. Por Ilir Meta e mbylli karrierën e tij në mënyrë aspak të lavdishme, pas hekurave.
Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua sot gjatë një operacioni blic nga policia përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, pranë rrethrrotullimit të Kamzës. Meta ishte duke u kthyer nga Kosova dhe mësohet se është ndjekur që në Morinë nga Forcat Operacionale, të cilat kanë ndërhyrë njësoj si në filma.
Efektivët kanë qenë me maska dhe me makina civile. Në videot e arrestimit shihet se Meta bën rezistencë dhe nxirret forcërisht nga makina. Menjëherë ai u mor dhe u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe nga aty më pas te Blloku i Sigurisë te “Mine Peza”.
Sipas burimeve, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: Korrupsion pasiv i funksionarit të lartë shtetëror, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie.
Ndërkohë është caktuar detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin. Po ashtu masë sigurie ka ndaj Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP, i cili u vendos në arrest shtëpiak dhe ndërsa për Ema Çokun u vendos detyrim paraqitjeje. Pirro Xhixho është njëkohësisht edhe babai i nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.

Sipas informacioneve, hetimet ndaj Metës janë kryer nga prokurorët Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe vetë Altin Dumani ndërsa gjyqtari që ka lëshuar masat është Erjon Çela.
Akuzat ndaj Metës
Sipas informacioneve, Meta është arrestuar për dosjen e lobimit në SHBA, skandalin CEZ-DIA dhe aferën me SGS. Meta gjatë 30 viteve të fundit është akuzuar për shumë krime, duke filluar që nga vjedhja floririt në 1997, te aferat si kryeministër në (2002), kur ishte në qeverinë e Berishës doli me zë figurë se si vidhte. Po ashtu kur kaloi me Ramën u akuza se ka gisht dhe në vrasje. Pra bëmat janë pa fund, ndërsa SPAK ka arritur të provojë disa prej tyre.
Afera CEZ-DIA
Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta dyshohet se i kërkon Kastriot Ismailajt, bashkëshortit të Vojsavës (i dënuar me 11 vite burg), 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.
Aferat e kunatit
Në 25 korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal ka regjistruar një tjetër procedim penal nr. 137, për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Të kallëzuar janë Ilir Meta, Monika Kryemadhi, vëllai i Monikës, Drini Kryemadhi dhe vjehrri i Drinit, Nuri Peti. Drini Kryemadhi dyshohet se ka marrë rreth 360 mijë USD nga kompania e kolaudimit SGS, në formë pagash, gjatë periudhës 2013-2020, me funksionin inxhinier mekanik. Drini Kryemadhi e kishte pagën më të lartë se sa CEO i SGS, në dhjetor të 2020 ka marrë edhe një shpërblim me vlerë 30 mijë USD, ndërsa dyshohet se nuk ka shkuar fare në punë.
Dosja e lobimeve
Ilir Meta ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania “McKeon Group” për lobime në SHBA por nuk i ka deklaruar. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.
Kontrata e parë e lobimit është nënshkruar nga Iraklis Fidetzis në emër të LSI-së dhe Ilir Metës. Kontrata parashikonte sigurimin e një ftese për Ilir Metën si pjesëmarrës në inaugurimin e Donald Trump, organizimin e takimeve me ligjvënës dhe drejtues të tjerë të administratës amerikane në Uashington gjatë kësaj ceremonie dhe pas 20 janarit 2017, zhvillimi dhe promovimi i marrëdhënieve të mira me administratën e re të Donald Trump dhe Kongresin amerikan.
Në shkurt të 2017, pikërisht për ditën e Shën Valentinit, "McKeon Group", sipas dokumentacionit të dorëzuar te autoritetet amerikane njofton tërheqjen nga kontrata, që Fidetzis i jepte 15 mijë dollarë në muaj.
Pas kësaj tërheqjeje, “McKeon Group”, sipas dokumenteve të dorëzuara në Departamentin e Drejtësisë ka nënshkruar një tjetër kontratë të dytë lobuese, këtë herë me kompaninë “Dorelita Limited”. Kontrata është nënshkruar më 24 mars të 2017-s. Sipas kontratës, grupi ngarkohej që të lobonte për 6 muaj për llogari të kompanisë “Dorelita Limited” dhe individëve të lidhur me të.
Fshehja e pasurisë dhe pastrimi i parave
SPAK ka hapur dhe hetim pasuror ndaj Metës. Janë verifikuar të gjitha pronat e tij dhe Kryemadhit, madje hetimet janë shtirë dhe jashtë vendit. SPAK ka siguri prova se Meta ka fshehur pasurinë dhe madje ka kryer pastrim parash.
Skema Sanader
Skema që dërgoi pas hekurave Ilir Metën, është ajo e simotrës së SPAK në Kroaci, ku u arrestua ish-kryeministri Ivo Sanader.
Rasti i tij ngjason në shumë aspekte me Metën. Ish-presidenti akuzohet se ka përfituar duke favorizuar CEZ-DIA. Ndërsa Ivo Sander u dënua sepse kishte përfituar 10.000.000 € nga kompania hungareze "MOL", për ta favorizuar atë në tregun kroat.
Sa i takon hetimeve, gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. (Meta ka vila dhe apartamente) Hetimi nisi pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë përfshirë të Shtunat dhe të Dielat. Është arritur të merren fakte të rëndësishme, që çonin në konkluzionin se ish-kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishme veçanërisht për fillimin e procesit.
Gjatë hetimit janë marrë në pyetje më tepër se 500 persona, disa prej tyre më shumë sesa njëherë në mënyrë të përsëritur. Një prej tyre, bashkëfajtor me ish-kryeministrin, është Mladen Barisiç dhe është pyetur 19 herë, pasi prokurorët nuk besonin në deklaratat e tij. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të vendosë monitorim me kamera dhe audio-regjistrime. Gjithashtu, një hetim i hollësishëm financiar është kryer lidhur me pasurinë e Sanader. Ka pasur një bashkëpunim me agjencinë e parandalimit të pastrimit të parave të pista, administratën tatimore dhe ndihmë të veçantë ligjore nga Austria dhe SHBA-ja.
Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi dhe me Metën, nga dëshmitë te pasuria. Akuzat janë thuajse identike dhe skema e njëjtë. Sanader u dënua 3 herë me një total prej afro 18-vite burg dhe sinjalet janë se ky fund është i pashmangshëm dhe për ish-presidentin shqiptar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje