
Ai ftoi qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet, duke theksuar se demokracia është një angazhim që nis me pjesëmarrjen dhe kulmon me përgjegjësinë.
Pak orë para fillimit të heshtjes zgjedhore, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka adresuar një mesazh të rëndësishëm për opinionin publik, duke theksuar rëndësinë e 11 majit si ditën e zgjedhjeve.
Ai ftoi qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet, duke theksuar se demokracia është një angazhim që nis me pjesëmarrjen dhe kulmon me përgjegjësinë.
Presidenti gjithashtu kërkoi që institucionet të sigurojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta, duke i bërë apel qytetarëve dhe faktorëve politikë të jenë të bashkuar për një Shqipëri më të drejtë dhe demokratike.
"Përpara fillimit të heshtjes zgjedhore, Presidenti i Republikës çmon me rëndësi që të ndajë me opinionin publik mesazhin e tij për zgjedhjet.
Sot, dua t’ju drejtohem me një mesazh të posaçëm:
11 maji është një ditë e veçantë për secilin prej jush. Në këtë ditë ju keni mundësinë dhe të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen tuaj, të familjes dhe të Shqipërisë sonë të përbashkët.
Unë ju ftoj të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar ditën e diel me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet! Të gjithë së bashku mund ta kthejmë këtë proces në një shembull të qytetarisë, të transparencës dhe të pjekurisë demokratike, sepse demokracia nuk është thjesht një ditë votimi, është një angazhim i përditshëm që nis me pjesëmarrjen dhe kulmon me përgjegjësinë.
Institucionet kanë një detyrim të qartë dhe të panegociueshëm: të garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta. Vetëm përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti, tek institucioni i votës dhe te vetë e ardhmja demokratike e vendit tonë.
Unë besoj thellësisht se populli shqiptar meriton më të mirën. Meritoni një proces zgjedhor që përfaqëson vullnetin tuaj të lirë, që respekton ligjin dhe që i shërben vetëm interesit publik.
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë vetëm ushtrim demokracie, por janë test i rëndësishëm pjekurie politike për qytetarët dhe faktorin politik.
Ndaj, si përfaqësuesi juaj, ju kërkoj me zemër që 11 majin ta ktheni në ditë feste dhe angazhimi qytetar në emër të demokracisë dhe të shpresës për të ardhmen. Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë.
Pavarësisht sfidave që mund të hasim, unë kam besim se ne mund dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar, të palëkundur në përkushtimin tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike", thuhet në deklaratën e presidencës.
Lini një Përgjigje