TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Maj 2025, 14:00

Zgjedhjet, Topalli hedh akuza: Anomali si erdhën votat nga Greqia, të ndalohet dorëzimi i zarfeve në dorë në KQZ

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet, Topalli hedh akuza: Anomali si erdhën votat nga Greqia, të
Jozefina Topalli

E deleguara politike për Diasporën në PD, Jozefina Topalli në një deklaratë për mediat,  ka ngritur alarmin për parregullsitë në procesin e votimit nga jashtë vendit, duke veçuar shqetësime të thella për mënyrën e administrimit të votave nga Greqia.

Ajo bëri thirrje për ndalimin urgjent të dorëzimit të zarfeve me dorë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkoi trajtim të veçantë të kutive që vijnë nga ky shtet, për shkak të dyshimeve për manipulim dhe shkelje të Kodit Zgjedhor. Sipas saj, shtimi i papritur i votave vetëm në ditët e fundit, në kontrast me ritmin e mëparshëm, përbën një anomali serioze që duhet hetuar.

"Orët e fundit në dispozicion për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të kryejnë procesin, ta mbyllin ndërkohë. Ftojmë çdo shqiptar tjetër që nuk janë regjistruar, të bëjnë edhe sakrificën e fundit, nëse kanë mundësi të vijnë në Shqipëri e të votojnë të dielën, për të qenë pjesëtar të rëndësishëm, që do jetë 11 maji.

Thënë këtë, dua të shtoj edhe sot në vazhdim të deklaratave dhe denoncimeve që kemi bërë për rastin e procesit zgjedhor në Greqi, shtohen shqetësimet nga mënyra e procedimit në Greqi.

Sot ka ndodhur edhe ajo që ne nuk e imagjinonim, që të dorëzohen edhe zarfet me dorë në KQZ. Do të përsërisim edhe njëherë kërkesën për shqetësimin tonë serioze dhe të thellë, që po ndodh në procesin e zgjedhjeve në territorin e Greqisë.

Të ndalohet menjëherë dorëzimi i zarfeve në dorë në KQZ. Të ndahet dhe të trajtohet në mënyrë krejt të veçantë, kutitë që vijnë nga Greqia nga kutitë që vijnë nga Italia.

Të bëhet auditimi i të gjitha rasteve të kutive të dërguara, për mënyrën se si është bërë procesi i votimit, për mënyrën e sjelljes këtu dhe një analizë e kutive të votimit, që kanë sjellë një anomali që është e pashpjegueshme, në mënyrën e ardhjes së votave këtu.

Nëse për 3 javë rresht nga të gjitha vendet e tjera, kanë ardhur proporcionalisht, normale votat dhe për Greqinë, kishin ardhur vetëm 17 mijë vota, vetëm në 3 ditët e fundit janë shtuar 22 mijë vota. Pra është një anomali, por është një derivat i të gjitha thyerjeve që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe në Greqi.

Nëse do të vazhdojmë të dorëzojmë zarfin në dorë, kjo nuk është votë, por kjo është anulim i zbatimit të kodit zgjedhor, dhe është krim elektoral.

Nëse kutitë vijnë të mbushura, ndërkohë që shqiptarët që jetojnë në Greqi, nuk kanë votuar se, zarfi nuk i ka ardhur në shtëpi, se zarfin nuk e kanë gjetur tek lokali i lojërave të fatit, apo sepse atë e ka marrë dikush tjetër dhe e ka plotësuar, sigurisht që kjo e ka emrin manipulim dhe jo zgjedhje.

Ndaj KQZ duhet të bëjë trajtimin tërësisht të veçantë të kutive që vijnë nga Greqia dhe të ndalin dorëzimin e zarfeve dorazi. Dje kemi dorëzuar në KQZ kërkesën për këto shqetësime shumë të thella dhe për këto krime elektorale.

Kthimi i shërbimit sipas kontratës të DHL-së, në shërbim të ofruar tashmë nga strukturat e PS-së dhe pushtetit në Tiranë, është papranueshme dhe nxjerr jashtë loje të gjithë procesin që ka ndodhur andej", u shpreh Topalli. 

vota e diaspores zgjedhjet e 11 majit

Lini një Përgjigje