
Blendi Gonxhja, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili garon në listën e hapur të PS-së në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, shprehet se synohet që kjo forcë politikë të marrë 20 mandate në këtë qark.
Në emisionin “Open”, Gonxhja tha se lufta është për mandatin e 20-të dhe më shumë.
“Lista jonë ka cilësi dhe kjo është arma jonë më e fortë. Duke parë edhe pjesëmarrjen historike të diasporës, shpresojmë në një rezultat edhe më të mirë,” u shpreh Gonxhja.
Ai theksoi se opozita, sipas tij, ka munguar në terren dhe kjo i ka dhënë PS mundësinë të zhvillojë një fushatë pozitive dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët: “U jemi drejtuar qytetarëve me një dialog të hapur, që ka përfshirë reflektim dhe ndjesë aty ku ndoshta kemi munguar. Kjo është një fushatë e dëgjimit”, tha Gonxhja.
Ai u ndal veçanërisht te problematikat në periferi të Tiranës, veçanërisht në njësinë nr.6 ku ai është drejtues politik.
“Kam detyrim të jap llogari dhe të komunikoj edhe me kolegët në kabinet për të adresuar më mirë çështjet e territorit. Ka ende punë për t’u bërë dhe jam i vetëdijshëm për këtë”, shtoi ai.
Ai vuri në dukje se qëllimi kryesor mbetet përmirësimi i jetës së qytetarëve përmes punës konkrete dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Lini një Përgjigje