TAGS-AT E JAVËS

Kulture15 Prill 2026, 10:51

Paradoksi i Gegnishtes: Mes Elitës Letrare dhe "Gegnishtes së Katundit"

Shkruar nga Edmond Kaçeli

 Paradoksi i Gegnishtes: Mes Elitës Letrare dhe "Gegnishtes së

E shkëputur prej institucioneve dhe pa një normë të rikthyer në përdorim, gegnishtja rrezikon të mbetet e gjallë vetëm si e folme, por e cunguar si gjuhë e kultivuar...

Gegnishtja sot po jeton një lloj dualiteti sa magjepsës, aq edhe melankolik. Nga njëra anë qëndron gegnishtja letrare, e papërsëritshme, e Fishtës, Mjedës, Gurakuqit, Migjenit, Camajt, e Koliqit etj. -një arkitekturë gjuhësore monumentale dhe precize.

Nga ana tjetër, është realiteti i përditshëm: një mozaik mijërangjyrësh, ku "gegnishtja e katundit" mbizotëron mbi normën e kultivuar.

Miti i 100 Shkrimtarëve

Gegnishten, letrare, zyrtare, e flet pak kush, e shkruajnë, korrekt, veç nja 100 vetë (prapë m’duken shumë!) tjerët flasin e shkruajnë gegnishten e katundit të vet!

Mbase edhe ky numër duket bujar! Kjo 100 që dinë ta shkruajnë gegnishten letrare në mënyrë korrekte, nuk është thjesht një provokim. Është një diagnozë e ftohtë e realitetit tonë kulturor. Pas vitit 1972, gegnishtja e kultivuar mbeti jashtë institucioneve, duke u shndërruar gradualisht në një lloj "latinishteje shqiptare" me ndryshimin se latinishtja quhet "gjuhë e vdekur" ndërsa gegnishtja u shëndrrua në: "gjuhë e vrarë, e burgosur, e arrestuar!"

Kush e përdorte merrte emërtimin: Reaksionar i Gjuhës Shqipe!

Saktësia vs. Improvizimi: Gegnishtja letrare kërkon një disiplinë gramatikore (paskajoren, trajtat e shkurtra, lakimet specifike) që nuk mësohet më në shkolla! Gjuha ka rregullat sintaksore, morfologjike, gramatike, fonetike, fonologjike, leksikologjike, semantike, pragmtike (gjuha në veprimin e përditshëm)- terma që tingëllojnë të huaja për gegnishtasit e katundit!

Pa këto baza, shkrimi kthehet në improvizim.

Fragmentizimi: Pa një rregullator qendror, gjuha gege po atomizohet! (po rrudhoset, pluhuroset)! Kush nuk e zotëron normën letrare, përfundon duke shkruar ashtu siç flet në rrethin e tij të ngushtë, duke i bartur tiparet e gjuhës së lagjes apo fshatit direkt në letër.

Kur "Katundi" zë vendin e Librit

Forca e gegnishtes ka qenë gjithmonë te gjallëria e saj, poetika, fjalëformimi i pafund, muzikaliteti, por dobësia e saj sot qëndron te mungesa e unitetit! Kur secili përdor fonetikën dhe leksikun e zonës së vet, gjuha humbet fuqinë e saj për të qenë universale.

Paradoksi i Gegnishtes: Mes Elitës Letrare dhe "Gegnishtes së

Shumë shkrues të Veriut, shkruajnë fiks siç flasin vetë në sofrën familjare! Kjo don me thanë se kufizojnë, pa dashje, dritaren e komunikimit vetëm me ata që të rrethojnë!

Krijohet kështu një lloj barriere e padukshme, por e dëmshme: Gegnishtja Letrare dikur ishte një urë që lidhte krejt Veriun dhe trojet shqiptare, ndërsa "gegnishtja e katundit" rrezikon të mbetet një rreth i mbyllur.

Një Rezistencë Kulturore

Rreziku nuk është se gegnishtja do të zhduket si e folur! Ajo jehon fuqishëm në rrugë, muzikë, folklor, dhe shtëpi. Rreziku i vërtetë është humbja e fisnikërisë së saj akademike! Tash 35 vjet e këtej nuk ka pasë asnjë përpjekje serioze për të krjuar të paktën një gramatikë minimale të gegnishtes letrare! Pa këtë gjitha diskutimet janë krejt boshe! Njohësit e paktë të gegnishtes letrare (gjuhë zyrtare deri në vitin 1972) duhet të kishin organizuar të paktën një mbledhje për këtë!

Të shkruash saktë në gegnishte sot nuk është thjesht çështje dëshire; është një akt rezistence intelektuale. Ata "100 veta" që e mbajnë gjallë normën korrekte janë rojet e fundit të një katedraleje gjuhësore që, për pjesën tjetër, po kthehet dalëngadalë në një rrënojë të bukur, por të pashfrytëzueshme.

Mungesa e gegnishtes në Altarin e Gjuhës Shqipe është krejt e pajustifikueshme, dhe jashtëzakonisht e dëmshme!

Humbja e kohës vetëm zgjat agoninë e një pasurie të jashtëzakonshme kombëtare që po e mbysim të gjithë nga pak!/Pamfleti

gegnishtja edmond kaçeli

5 Komente

  1. e
    emigranti1991

    Të shkruash saktë në gegnishte sot nuk është thjesht çështje dëshire; është një akt rezistence intelektuale. Ata "100 veta" që e mbajnë gjallë normën korrekte janë rojet e fundit të një katedraleje gjuhësore që, për pjesën tjetër, po kthehet dalëngadalë në një rrënojë të bukur, por të pashfrytëzueshme. SOT: PAS GEGNISHTES GJEJNE STREHE INDIVIDE TE PASHKOLLE.

    1. P
      Pak nga të gjitha

      Gegnishtja letrare nuk është gjë tjetër veçse e folmja dhe e shkuatura gegnisht e Elbasanit. Ka libra shkollore për që duan ta mësojnë.po dhe kjo norme gjuhsore letrare që mësohej në shkolla megjithse e mbështetur nga kongresi Manastirit dhe Komisja letrare kundërshtohej nga përfaqsues të gegnishtes sidomos shkodranët. Iata që kanë mbaruar 8 vjeçaren nê vitet 70 dinë ta shkruajnê

      1. F
        F.Karagjozi

        Jam pro shkrimit te manaltshem. Por, po te ishte shkrue ne gegnisht, do te kishte, minimalja, ma vlere .

        1. e
          ep

          Polemika sterile!

          1. B
            B. Simoni, Shkoder

            ... "...Gegnishtes së Katundit",- shprehet autori. N' katund ruhet ma mire se n' qytet " gegnishtja " e pabastardhueme me "standardin", "... qi perdoret sod ne Shqipni, asht toskerishte e pshurrun dhunisht me do gjana vjedhe gegnishtes" ,- shprehet nji shok imi, paste Drite, P. Rr. ne studimin e tij disavjecar, " GEGNISHTJA, NJI VISAR I NEPERKAMBUN", fq. 139, bot.Shkoder, 2014.

            Lini një Përgjigje