Themeloi një platformë që lejon vënien e parave në bast për çdo gjë dhe u bë miliarder. Rrezikoi burgun, por pas rizgjedhjes së Donald Trump-it u rikthye fuqishëm në biznes…
Pak para agimit të 13 nëntorit 2024, agjentët e FBI-së shqyen derën e apartamentit të Shayne Coplan në Manhattan, duke mësyrë në dhomën e tij të gjumit dhe duke i sekuestruar telefonin. Ata po hetonin shkeljet e mundshme kundër pastrimit të parave të Polymarket, platformës së basteve me kriptomonedha të themeluar nga Coplan, e cila u lejon përdoruesve të vënë baste për çdo gjë, nga zgjedhjet deri te aktori i ardhshëm që do të luajë James Bond-in.
Katërmbëdhjetë muaj më vonë, fati i 27-vjeçarit ka ndryshuar plotësisht. Departamenti i Drejtësisë i ka rrëzuar akuzat. Donald Trump Jr., një nga investitorët, u bë këshilltar i kompanisë. Intercontinental Exchange, kompania mëmë e Bursës së Nju Jorkut, nënshkroi një marrëveshje investimi që e rriti vlerën e Polymarket në 9 miliardë dollarë dhe e bëri Coplan-in miliarder.
Startup-i i tij, për një kohë të gjatë i ndaluar për amerikanët, mori lejen për ta përdorur aplikacionin edhe në SHBA. Ngritja e tij pasqyron faktin se tashmë janë zhdukur pengesat mes investimeve, basteve dhe kriptomonedhave. Parashikimet e Polymarket — të cilën Coplan e quan një “makinë globale të së vërtetës” — po mbijnë kudo: nga analizat e shtypit deri te ekranet e Golden Globe. Gjigantë si Google, X dhe NHL kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me platformën.
Megjithatë, Polymarket nuk i ka shpëtuar polemikave mbi mungesën e rregullave. Gjallojnë ende dyshimet për manipulimin e basteve mbi luftën në Ukrainë, apo mbi operatorë që kishin informacione paraprake për rrëzimin e Maduros dhe fituesin e Nobelit. Platforma vazhdon të jetë kryesisht anonime, duke mos kërkuar verifikim të identitetit. Rajiv Sethi, profesor ekonomie, paralajmëron se ky anonimitet lejon operacione të pamundura në tregje të tjera, si insider trading apo fryrja e vëllimeve përmes llogarive të shumta.
Coplan e mbron platformën duke thënë se transparenca në kohë reale e transaksioneve i zbulon manipulimet shpejt. Sipas tij, parashikimet e Polymarket mund të orientojnë politikat publike, pasi njerëzit që rrezikojnë paratë e tyre kanë më shumë gjasë të kenë të drejtë sesa ekspertët e njëanshëm.
Performanca katastrofike e Joe Biden në debatin e qershorit 2024 shkaktoi një rritje të vrullshme të basteve. Vitalik Buterin, themelues i Ethereum, e mbështet këtë ide: “Nëse vë një bast idiot, humbet!”. Ndryshe nga kompanitë tradicionale të basteve që vendosin kuota, Polymarket përdor tregtinë e kontratave. Një kontratë paguan 1 dollar nëse parashikimi del i saktë dhe zero nëse jo. Çmimi luhatet sipas probabilitetit: nëse një kontratë shitet me 41 cent, tregu sheh 41 për qind gjasë që ngjarja të ndodhë.
Autoritetet rregullatore amerikane (CFTC) mbeten skeptike, duke i klasifikuar këto baste si derivate financiare. Gjykatat janë ende duke vlerësuar ligjshmërinë e basteve sportive në këto tregje. Ndërkohë, incidente si ai i qytetit ukrainas Myrnohrad, ku bastet u mbyllën bazuar në një hartë të gabuar, i kanë tërbuar përdoruesit. Coplan e pranon se procesi i zgjidhjes së basteve ka nevojë për përmirësim. Gjithashtu, raste si ai i tregtarit “6741”, i cili fitoi 50 mijë dollarë me Nobelin e María Corina Machado-s natën para njoftimit, nxitën hetime për spiunazh.
Në gusht, platforma u kritikua edhe për baste “vulgare” lidhur me incidente në ndeshjet e WNBA-së, të cilat Coplan tashmë i quan “të marra” dhe thotë se nuk do të përsëriten.
Shayne Coplan u rrit në Manhattan dhe hyri herët në botën e kriptomonedhave pasi e braktisi universitetin. Ai hodhi në treg Polymarket në vitin 2020 me një investim fillestar prej 4 milionë dollarësh. Shumë investitorë e shihnin si të çmendur për shkak të besimit të tij ekstrem te vetvetja. Në zyrën e tij në Soho, ai njihej si një shef i egër që shpesh u bërtiste punonjësve.
Në janar 2022, Polymarket pranoi të paguante 1.4 milionë dollarë gjobë dhe të ndalonte përdoruesit amerikanë për të shmangur regjistrimin e detyrueshëm. Megjithatë, përdorimi i VPN-ve ishte një “sekret i hapur”. Amerikanët vazhdonin të depozitonin me lehtësi kriptomonedha.
Në pranverën e vitit 2024, prokuroria nisi një hetim penal për pastrim parash. Administrata Biden po e shtrëngonte rrethin ndaj kriptomonedhave. Por performanca e dobët e Biden në debat dhe rritja e mundësive për tërheqjen e tij e vunë Polymarket në qendër të vëmendjes. Platforma favorizonte fitoren e Trump-it, ndryshe nga sondazhet tradicionale. Hetuesit federalë po verifikonin edhe rastet e wash trading (lëvizje fiktive parash për të fryrë vëllimet). Megjithatë, kontrolli i pajisjeve të Coplan u shty nga frika se do të interpretohej si ndërhyrje në zgjedhje.
Fitorja e Trump-it shërbeu si një “pasaportë” për kompaninë. Investitorë konservatorë, si firma 1789 Capital ku partner është Donald Trump Jr., injektuan kapital të ri. Pas zgjedhjeve, Coplan mori pjesë në takime donatorësh të afërt me Trump-in. Kur FBI bastisi shtëpinë e tij pak ditë më vonë, Polymarket e quajti atë një “hakmarrje politike” të administratës në largim.
Me ardhjen e Trump-it në pushtet, presioni mbi kriptomonedhat u zbeh. Avokatët e Polymarket i kërkuan Todd Blanche (zyrtar i lartë i drejtësisë) arkivimin e rastit. Ata dorëzuan mijëra dokumente për të dëshmuar pafajësinë. Më 1 korrik 2025, prokurori Nicholas Roos njoftoi zyrtarisht se hetimi ishte mbyllur. Nëntorin e vitit të kaluar, Coplan festoi përvjetorin e bastisjes së FBI-së me një tortë dhe një postim në X: “Një dolli për tregjet e lira, ëndrrën amerikane dhe avokatët me 3 mijë dollarë ora!”.
Kompania e tij tani është një nga lojtarët më të fuqishëm në botën e re ku politika dhe financa gërshetohen përmes teknologjisë./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje