TAGS-AT E JAVËS

Kulture23 Prill 2026, 12:31

Shuhet Akademiku Rexhep Qosja!

Shkruar nga Pamfleti
Shuhet Akademiku Rexhep Qosja!
Shuhet Akademiku Rexhep Qosja

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku i njohur Rexhep Qosja

Shuhet në moshën 89-vjeçare akademiku i njohur Rexhep Qosja.

Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar vetë familjarët e Qoses përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.

Sipas familjes, akademiku ka ndërruar jetë sot dhe është varrosur po sot vetëm me prani të familjarëve të tij.

Më dëshirën e të ndjerit, familja thekson se nuk do të organizojë ceremoni pritjeje dhe as do të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara nga institucionet.

"Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!", thuhet në njoftimin e shpërndarë nga familja.

Kush ishte Rexhep Qosja:

Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të njohura të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), ndërsa veprimtarinë e tij më të rëndësishme akademike dhe kulturore e zhvilloi në Kosovë.

Qosja kreu studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku më pas u angazhua si pedagog dhe studiues. Ai u bë një nga emrat kryesorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku kontribuoi për dekada në fushën e studimeve letrare dhe historike.

Kontributi në letërsi dhe kritikë

Rexhep Qosja njihet veçanërisht për veprat e tij në kritikën letrare, historinë e letërsisë dhe eseistikën. Ai ka analizuar në mënyrë të thelluar zhvillimin e letërsisë shqipe dhe figurat kryesore të saj. Ndër veprat më të njohura janë studimet për rilindasit dhe autorët modernë shqiptarë, si dhe analiza mbi identitetin kulturor shqiptar.

Në letërsinë artistike, ai ka lënë gjurmë me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, një nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe bashkëkohore.

Angazhimi publik dhe politik

Përveç veprimtarisë akademike, Qosja ka qenë aktiv edhe në jetën publike dhe politike, veçanërisht gjatë viteve ’90. Ai ka mbajtur qëndrime të forta mbi çështjen kombëtare shqiptare, zhvillimet në Kosovë dhe marrëdhëniet shqiptaro-shqiptare.

Qosja ka qenë një zë kritik në debatet publike, shpesh duke shprehur qëndrime të drejtpërdrejta dhe polemike për çështje të ndryshme politike dhe shoqërore.

Vlerësime dhe ndikim

Gjatë karrierës së tij, Rexhep Qosja është vlerësuar me çmime dhe tituj të ndryshëm për kontributin në kulturën dhe shkencën shqiptare. Ai konsiderohet si një nga intelektualët më me ndikim në hapësirën shqiptare, me një trashëgimi të pasur në studimet albanologjike dhe në debatin publik.

Disa nga veprat e tij:

-Episode letrare, 1967

-Dialog me shkrimtarë, 1968

-Antologjia e lirikës shqipe, 1970

-Kontinuitete, 1972

-Asdreni – jeta dhe vepra, 1972

-Panteoni i rralluar, 1973

-Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1974

-Shkrimtarë dhe periudha, 1975

-Anatomia e kulturës, 1976

–Mite të zhveshura, 1978

-Prej tipologjisë deri te periodizimi, 1979

–Morfologjia e një fushate, 1980

–Nocione të reja albanologjike, 1983

-Historia e letërsisë shqipe I, II 1984

-Antologjia historike e letërsisë shqipe, 1985

-Historia e letërsisë shqipe III, 1986

-Porosia e madhe, 1986

-Populli i ndaluar, 1990

-Strategjia e bashkimit kombëtar, 1992

-Çështja shqiptare: historia dhe politika, 1994

-Ligjërime paravajtëse, 1996

-Fjalor demokratik, 1997

-Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, 1999

–Një dashuri dhe shtatë faje, roman, 2001

-I ringjalluri i penduar, tregim satirik, 2002

-Ideologjia e shpërbërjes, 2006

-Realiteti i shpërfillur, 2006

–Nata është dita jonë, 2007

-Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, 2013

–Të fshehtat e treguara, roman, 2020

1 Komente

  1. T
    Thanas L. Gjika

    Profesor Akademik Rexhep Qosja është një nga personalitetet më të shquar të kulturës, të shkencave shoqërore dhe të politikës shqiptare. Për 60 vjet Ai spikati fuqishëm si qytetar i guximshëm, studiues i letësisë sonë dhe kritik letrar, si romancier, si publicist, politikan e analist i politikës shqiptare në të dy anët e kufirit. Vepra e tij u vlerësua sa ishte gjallë, por do të vlerësohet gjithnjë e më shumë mbas sodit, kur të jenë larguar nga jeta ziliqarët e tij. Kujtimi i Tij do të jetë i përjetshëm sepse e tillë është vepra e Tij. Ngushëllime familjes, miqve dhe nxënësve të Tij të shumtë, midis të cilëve bëj pjesë dhe unë. Thanas L. Gjika

    Lini një Përgjigje