Sot këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta feston ditëlindjen e tij. E famshmja italiane "Corriere" i ka dedikuar një artikull-profil, që nga mbërritja në Bari e deri tek artisti i famshëm që preku skenën "Ariston":
I lindur në Fier më 20 prill 1981, ai u shpërngul në Bari të Italisë në moshën 13-vjeçare së bashku me nënën, vëllain dhe motrën.
Në vitin 2023, në një rrëfim emocional në emisionin “Le Iene”, Meta tregoi historinë e fortë të emigrimit të familjes së tij. Ai zbuloi se nëna e tij kishte arritur të largohej nga Shqipëria me ndihmën e dy personave të panjohur: një burri që i siguroi pasaportë false dhe një oficeri që, megjithëse e kuptoi falsifikimin, vendosi ta vuloste dokumentin i prekur nga situata e një nëne që kërkonte vetëm të shpëtonte fëmijët e saj. “Dy akte mirësie shpëtuan katër jetë. Mes tyre ishte edhe jeta ime. Jini të sjellshëm, mund të shpëtoni dikë”, kishte thënë artisti.
Ku punoi para se të bëhej i famshëm
I rritur mes muzikës klasike, pasi nëna e tij ishte violiniste, Meta nisi të merrej me muzikë në moshën 16-vjeçare. Në Itali ai u njoh me muzikën ndërkombëtare dhe këngët shqiptare, ndërsa më vonë u ndikua edhe nga artistët italianë që dëgjonte në fillimet e tij në Bari.
Karrierën e nisi me disa grupe muzikore, përpara se të bëhej pjesë e Ameba 4, me të cilët mori pjesë në “Sanremo 2006” në kategorinë e të rinjve. Para se t’i përkushtohej muzikës, ai ka punuar si lavapjatës, shpërndarës gazetash në semafor dhe operator në call center.
Më pas, Meta krijoi grupin La Fame di Camilla, me të cilin publikoi disa albume dhe mori pjesë në “Sanremo 2010”. Pas shpërbërjes së grupit, ai nisi karrierën si autor këngësh, duke shkruar për artistë të njohur si Emma, Marco Mengoni, Francesco Renga dhe të tjerë.
Në skenën e “Ariston”
Në vitin 2017, ai u rikthye në Sanremo me këngën “Vietato morire”, duke u renditur i treti, ndërsa në 2018 fitoi festivalin së bashku me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”. Me të njëjtën këngë përfaqësuan Italinë në Eurovision Song Contest 2018.
Babai i munguar në jetën e tij
Meta ka folur shpesh edhe për marrëdhënien e vështirë me të atin, të cilin e ka përshkruar si figurë të munguar dhe të dhunshme. Këto përvoja i ka reflektuar edhe në këngët e tij si “Lettera a mio padre” (Letër babait tim) dhe “Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh), që trajtojnë dhunën dhe plagët familjare.
Librat
Në vitin 2022 ai publikoi romanin e parë “Domani e per sempre”, (Nesër dhe përgjithmonë) ndërsa në vitin 2025 solli librin e dytë “Le camelie invernali”, (Kameliet e dimrit) duke zgjeruar aktivitetin e tij edhe në letërsi.
Jeta private
Sa i përket jetës së tij sentimentale, Ermal Meta ka qenë gjithmonë mjaft i rezervuar, duke e mbajtur larg vëmendjes së publikut këtë pjesë të jetës së tij.
Ai ka pasur një lidhje të gjatë me prezantuesen radiofonike Silvia Notargiacomo, ndërsa më vonë u lidh me Chiara Sturdà, me të cilën në vitin 2024 është bërë baba i një vajze të quajtur Fortuna.
Në familjen e tyre pritet të bashkohen edhe dy vajza të tjera shqiptare, të cilat çifti kishte dëshiruar t’i adoptonte, por nuk ka qenë e mundur për shkak se nuk janë të martuar. Sipas planit, vajzat do t’i bashkohen familjes në muajin qershor, kur të dyja të kenë mbushur moshën madhore.
Në një rrëfim për “Corriere della Sera”, Meta ka treguar se i ka njohur vajzat disa vite më parë gjatë një fushate bamirësie për një shtëpi fëmijësh në Shqipëri. Ai ka përshkruar ndikimin e fortë emocional që i kanë lënë historitë e tyre, duke kujtuar se shpesh fëmijët më të rritur në institucione mbeten të pavërejtur.
“Kur na thoshin ‘neve nuk na do askush’, zemra më është thyer në mijëra copa,” ka rrëfyer këngëtari, duke theksuar se ato fjalë i kanë mbetur thellë në kujtesë. /Përshtati Pamfleti
Lini një Përgjigje