TAGS-AT E JAVËS

Kulture21 Prill 2026, 14:05

Çfarë mësova për miliarderët në rezidencën private të Jeff Bezos

Shkruar nga Noah Hawley
Çfarë mësova për miliarderët në rezidencën
Illustration by Tim Enthoven /

Në botën e sotme të elitës teknologjike, pasuria nuk shërben më si mjet për të përmirësuar shoqërinë, por si një mburojë kundër pasojave të veprimeve personale. Ndryshe nga titanët e dikurshëm që investonin në institucione kolektive, miliarderët e sotëm janë të fiksuar pas kontrollit absolut dhe pushtetit individual mbi realitetin...

Për të kuptuar psikologjinë e miliarderit të sotëm, duhet t’i kthehemi fundit të filmit të vitit 2007 të Paul Thomas Anderson, There Will Be Blood (Do derdhet gjak). Personazhi kryesor, Daniel Plainview, i luajtur nga Daniel Day-Lewis, është një baron i egër nafte që e ka ndërtuar perandorinë e tij mbi gjak, mashtrim dhe një vullnet të pamëshirshëm për para.

Në skenën finale, ai shfaqet si një njeri më i pasur se mbreti Kroesus, por tërësisht i izoluar në rezidencën e tij madhështore. Kur predikuesi Eli Sunday vjen për t’i shitur të drejtat e naftës mbi një tokë, Plainview e poshtëron duke i shpjeguar metaforën e famshme të “milkshake-ut”: ai e ka thithur tashmë gjithë naftën përmes pronave fqinje.

Plainview e vret Elin me një top boulingu, jo prej nevojës, por prej një urrejtjeje të pastër dhe ndjenjës së plotfuqishmërisë. Kur shërbëtori hyn në sallë, Plainview bërtet: “Mbarova!”.

Kjo nuk do të thotë se ai ka mbaruar punën, por që ai ka mbaruar së pretenduari se rregullat e njerëzve, morali apo ligji kanë ndonjë fuqi mbi të. Ai ka kaluar në një mbretëri jashtë universit moral, aty ku fluturojnë sot edhe trilionerët tanë të teknologjisë.

Në vitin 2018, isha i ftuar në një mjedis që ngjante shumë me izolimin luksoz të Plainview: resortin “Campfire” të Jeff Bezos në Santa Barbara. Amazon po përpiqej të më binde të transferoja biznesin tim të filmit dhe televizionit tek ata, dhe kjo ftesë ishte një lëvizje strategjike për të më bërë përshtypje përmes fuqisë së tyre të pashoqe.

Atmosfera ishte ajo e një bote paralele, ku nuk ekzistonte graviteti i zakonshëm i jetës. Një flotë avionësh privatë u dërgua për të marrë të ftuarit. Bezos kishte blerë të gjithë resortin Biltmore dhe klubin e plazhit përballë, duke instaluar një ushtri private sigurie për të garantuar privatësinë tonë.

Çdo mëngjes dëgjonim leksione nga gjyqtarë të Gjykatës së Lartë apo neuroshkencëtarë, ndërsa pyetja që mund të dëgjohej nën zë nga intelektualët ishte: “Pse jam këtu?”. Vetëm miliarderët nuk pyetnin. Ata e njihnin mirë këtë qark ku diskutohet për “shpëtimin e botës” duke ngrënë biftekë luksozë Wagyu, larg çdo kontakti me problemet që pretendojnë se po zgjidhin.

Ajo që vura re ishte një dukuri që mund ta quajmë ”arroganca e suksesit”. Kur një person shpallet gjeni në një fushë - siç është tregtia online - ai fillon të besojë se është gjeni në çdo gjë tjetër.

Kjo krijon një mjedis ku rrethi shoqëror përbëhet vetëm nga njerëz që kanë nevojë për diçka prej teje, duke lënë në hije mekanizmin bazë me të cilin njerëzit mësojnë se të tjerët janë qenie reale. Bezos-i i vitit 2018 ende bënte përpjekje të dukej njerëzor.

Megjithatë, sot ai, Mark Zuckerberg dhe Elon Musk kanë hyrë në fazën “Plainview”. Ata notojnë në një rezervuar privimi shqisor, ku dështimi e ka humbur kuptimin. Për njerëzit që po bëhen trilionerë, asnjë nivel humbjeje s’mund ta ndryshojë pozicionin e tyre global.

Këtu vërehet hendeku i madh midis epokave të pasurisë. Baronët grabitës të Epokës së Artë, si Andrew Carnegie apo John D. Rockefeller, ishin padyshim njerëz të pamëshirshëm që shtypnin me forcë grevat e punëtorëve.

Por pavarësisht brutalitetit, ata ishin të lidhur me realitetin fizik të shoqërisë. Ata e shihnin pasurinë si një mjet për të lënë një trashëgimi institucionale. Ata investuan në shpikje të mëdha dhe mbi të gjitha, ngritën universitete, biblioteka dhe spitale që shërbejnë edhe sot si shtylla të qytetërimit tonë.

Filantropia e tyre ishte një pranim i faktit se suksesi i tyre ishte i ndërlidhur me stabilitetin e shoqërisë. Ata donin të ndryshonin botën përmes institucioneve kolektive. Miliarderët e sotëm kanë një qasje krejt tjetër.

Ata nuk janë të fiksuar pas ndërtimit të institucioneve, por pas pushtetit absolut dhe kontrollit të informacionit. Për ta, shoqëria është një laborator për eksperimentet e tyre. Ndërsa Carnegie ndërtonte biblioteka, Musk dhe të tjerët blejnë platforma komunikimi për të kontrolluar narrativën dhe për të sulmuar kundërshtarët.

Ata nuk synojnë të përmirësojnë botën tonë; ata kërkojnë të ndërtojnë të vetën, qoftë përmes kolonizimit të Marsit apo izolimit në ishuj privatë, të çliruar nga çdo përgjegjësi ndaj njerëzimit. Ky ndryshim filozofik ka çuar në vdekjen e empatisë.

Për miliarderët modernë, empatia shihet si një “dobësi e qytetërimit perëndimor”, siç e ka quajtur Elon Musk. Ajo konsiderohet një armë që shoqëria përdor për të detyruar njerëzit racionalë të veprojnë kundër interesave të tyre.

Këtë mungesë empatie e përjetova personalisht në resortin e Bezos. Ndërsa elita shijonte shfaqje të notit të sinkronizuar dhe paella të gatuara nga shefa të famshëm të kuzhinës, familja ime u godit nga realiteti: gruaja ime theu kyçin e dorës dhe unë me fëmijët u prekëm nga një virus i dhimbshëm.

Kur ia tregova këtë Bezos-it, duke kërkuar një lidhje të thjeshtë njerëzore, ai u tmerrua. Nuk pati asnjë fjalë keqardhjeje. Bëri thjesht një mimikë të shtirur dhe u largua menjëherë me ndihmësit e tij. Për të, dhimbja ime ishte një dështim i sistemit që duhej injoruar, jo një moment për empati.

Bota është drejtuar gjithmonë nga burra të pasur, por sot po ndodh diçka tjetër: një shkëputje nga realiteti i shkakut dhe pasojës. Këta burra nuk e ndiejnë më nevojën për t’u përshtatur me botën, sepse suksesi i tyre është i garantuar pavarësisht vuajtjes njerëzore që mund të shkaktojnë.

Si Daniel Plainview, i ulur në dyshemenë e sallës së tij të boulingut, ata janë të lirë vetëm sepse kanë shkëputur çdo lloj lidhjeje me pjesën tjetër prej nesh. Kur bërtasin “Mbarova!”, ata po shpallin fitoren e tyre përfundimtare mbi shoqërinë: pushtetin për të jetuar në një univers, ku veprimet e tyre nuk kanë më asnjë pasojë njerëzore./Pamfleti nga “The Atlantic”

miliarder rezidenca private jeff bezos

Lini një Përgjigje