TAGS-AT E JAVËS

Kulture12 Dhjetor 2025, 16:08

Kur Frenk Sinatra i lutej mafias t’i falte jetën në një bodrum të Nju Jorkut

Shkruar nga Pamfleti

 Kur Frenk Sinatra i lutej mafias t’i falte jetën në një

I lindur 110 vite më parë në Nju Xhersi nga 2 prindër italianë, Frenk Sinatra, ishte një emblemë e kulturës amerikane, një simbol i epokës së artë të xhazit dhe suingut dhe personifikimi i elitës së kohës. Me zërin e tij të butë dhe praninë skenike karizmatike, ai magjepsi audiencën në mbarë botën, duke u bërë një nga ikonat muzikore më me ndikim të shekullit XX-të. 

Megjithatë, pas fasadës vezulluese të shfaqjeve muzikore por edhe protagonizmit në kinema, Sinatra kishte shumë anë të errëta, ku më kryesoret ishin lidhjet e tij me krimin e organizuar, midis tyre edhe mafiozët e famshëm italo-amerikanë Al Kapone dhe Laki Luçiano. 

Për këtë arsye, FBI e mbikëqyri për një kogë të gjatë, duke dokumentuar shumë nga kontaktet dhe veprimtaritë e tij të papërshtatshme. Disa studiues madje thonë se lidhjet me mafian e ndihmuan shumë karrierën e Sinatrës, dhe pse nuk mund të mohohet se kishte një zë të bukur.

Në librin e tij të shumë-diskutuar me titull “Mafia Takedown” ish-agjenti i FBI-së Majk Çampi, pretendon se këto lidhje e çuan ikonin e muzikës në pragun e vdekjes, duke e detyruar që të ulej në gjunjë dhe të lutej për t’i falur jetën, në një skenë tipike të filmave me gangsterë.

Përpara se të arrijë në atë moment dramatik, Çampi përshkruan një rrjet kompleks lidhjesh që e bënte Sinatrën të dyshimtë për autoritetet dhe shumë të çmuar për mafian. Dhe ato nuk ishin thjeshtë thashethem, Ishte fakt që kumbari i tij ishte gangsteri i njohur Uilli Moreti. Po ashtu, emri dhe adresa e tij u gjetën në dosjet e Laki Luçianos; dhe ai konsiderohej mik i ngushtë me figura të tilla si Lui Paçello, një ushtar i familjes mafioze Gjenovese.

Sipas sh-agjentit të FBI-së, Sinatra ishte një figurë e dukshme në shoqërinë e krimit të organizuar, i fotografuar vazhdimisht me anëtarë të familjeve të ndryshme, nga anëtarët e familjeve mafioze Fisketi në Çikago e deri tek Karlo Gambino.

Një nga pretendimet më intriguese është se këto lidhje nuk ishin thjesht shoqërore. Sipas librit, mafia ndërhyri në mënyrë aktive në karrierën e tij. Kështu kur “Columbia Studios” e refuzoi Sinatrën për rolin e Anxhelo Maxhos në filmin “From Here to Eternity” - një rol që do t’ia ndryshonte rrënjësisht karrierën - këngëtari u ankua tek mafia.

Çampi pretendon se mesazhi kërcënues iu dërgua përmes Frenk Kostelos dhe Xhoni Roselit tek drejtori i studios, Heri Kun. Kërcënimi i drejtpërdrejtë i Roselit - se Kun do të bëhej “i vdekur i mallkuar” nëse nuk ndryshonte mendje - siguroi rolin për Sinatrën, që më pas fitoi Çmimin Oscar.

Shkelja e rregullave dhe dënimi

Megjithatë, pikërisht këto lidhje e futen artistin në telashe. Po sipas rrëfimit të Çampit, të bazuar në dëshminë e informatorit Xhorxh Barone, Sinatra filloi që të “prishë marrëdhëniet” me familjen Gjenoveze. Ai u bë shumë i afërt me familjet rivale, siç ishin Gambino.

Po ashtu, edhe sjellja e tij në Las Vegas u bë e pakontrollueshme dhe abuzive. Nuk ishin të pakta netët kur i dehur, Sintarta përshiheje në përleshje me klientët e bareve. Për mafiozët, kjo ishte më shumë se sa një sjellje e papërshtatshme; ishte një shenjë mosrespekti dhe paqëndrueshmërie.

Në këto kushte, bosi kryesor i familjes Genovese, Entoni Salerno, urdhëroi një takim në një bodrum të braktisur në lagjen East Harlem në Nju Jork. Xhorxh Barone, një ushtar i familjes Gjenoveze ishte i pranishëm dhe ishte urdhëruar që të vriste Sinatrën.

Kur këngëtari u paraqit, u përball me Salernon dhe realitetin e dënimit të paracaktuar për të. Sipas Barones, në ato momente Sinatra e humbi qetësinë e tij karakteristike të “Zotit të Vogël”. Ai “qau si një foshnjë” dhe iu lut me të gjitha forcat për t’ia falur jetën, duke iu betuar Salernos për besnikëri.

Një “mëshirë” me kushte

Duke menduar se një njeri i famshëm i vrarë do të tërhiqte vëmendjen e padëshiruar të autoriteteve, Salerno pati “mëshirë’. Megjithatë, mëshira e mafias vjen gjithmonë me kushte. Sinatra “u qortua ashpër”, dhe iu dha një paralajmërim i qartë: të ndalonte menjëherë çdo lloj raporti me familjen Gjenoveze.

Nëse do të vazhdonte, dënimi do të ishte përfundimtar. Kështu, në atë bodrum, jeta e Sinatrës “u kursye për momentin”. Duhet pasur parasysh se kjo histori rrëfehet nga një burim i vetëm, ndaj mungon konfirmimi i pavarur ose prova dokumentare.

Shumë historianë e konsiderojnë një histori kaq ekstreme si pjesë të mitologjisë së errët që rrethon Sinatrën. Megjithatë, tregimi i Çampit përmbledh në mënyrë dramatike të gjitha thashethemet që kanë zier ndër dekada: nga ndikimi i mafias në karrierën e artistit, deri te çmimi i përhershëm dhe kushtet e frikshme që ai mund të ketë sjellë.

Pilula dhe çmime

Vitet 1950 dhe 1960 shënuan kulmin e karrierës së Frenk Sinatrës, duke zgjeruar ndikimin e tij përtej skenës muzikore në film dhe televizion. Çmimi i Academy Awards për filmin “Nga këtu në përjetësi” e çimentoi statusin e tij si këngëtar dhe aktor serioz. Por ndërsa u shtuan presionet dhe ritmi i famës u intensifikua, Sinatra, si shumë bashkëkohës të tij, filloi të mbështetej te ilaçet me recetë për të menaxhuar kërkesat e axhendës së tij të lodhshme.

Ilaçet e gjumit dhe qetësuesit e ndihmonin të pushonte në një industri ku netët ishin të gjata dhe mëngjeset vinin herët, ndërsa amfetaminat ndihmonin në ruajtjen e energjisë së pandërprerë të nevojshme për shfaqje dhe paraqitje.

Ana e errët e këtij mekanizmi kimik të përballimit u bë gjithashtu e dukshme, ndërsa u publikuan histori rreth luhatjeve të humorit të Sinatrës, periudhave të izolimit dhe sjelljes së paqëndrueshme.

Vetë Sinatra foli për problemet e tij mendore, të cilat ende keqkuptoheshin gjerësisht në atë kohë: “Duke qenë një maniako-depresiv 18-karatësh dhe duke bërë një jetë me kontradikta të forta emocionale, kam një aftësi tepër të mprehtë për trishtim, si dhe për ngazëllim.”

Përdorimi i barnave me recetë nga Sinatra pasqyronte një trend më të gjerë në shoqërinë amerikane, ku stigma ishte minimale dhe përdorimi i tyre shpesh neglizhohej ose madje inkurajohej. Kultura brenda industrisë së argëtimit, veçanërisht, ishte tolerante, duke i parë këto barna si domosdoshmëri për të ruajtur fasadën e vitalitetit dhe qëndrueshmërisë së pandërprerë.

Efektet e përdorimit të substancave nga Sinatra filluan të linin gjurmë, ndikimet e të cilave u pasqyruan në jetën e tij profesionale dhe marrëdhëniet intime. Martesa e Sinatrës me Ava Gardner në vitet 1950 ishte e trazuar, e shënuar nga dashuria pasionante dhe debatet e forta.

Grindjet publike dhe dëshpërimi privat ishin shenja të një burri që luftonte me demonët e tij, dhe vajza e tij Nensi foli hapur mbi alkoolizimin e të atit. Në aspektin profesional, pati koncerte dhe seanca të anuluara në studio, ku gjendja e Sinatrës u ndikua aq shumë nga alkooli dhe droga saqë ato u desh të riplanifikoheshin ose të anuloheshin tërësisht.

Një incident i tillë ndodhi gjatë regjistrimit të albumit “Strangers in the Night”, ku dehja e Sinatrës ishte e dukshme, duke çuar në një debat të ashpër me producentin Xhimi Bouen. Edhe puna e tij në sheshxhirimet e filmave u ndikua në mënyrë të ngjashme./Përgatiti Pamfleti

frenk sinatra

1 Komente

  1. T
    Tony

    E c'na duhen ne Shqiptareve historite e gangstyerizmit Amerikan!?

    Lini një Përgjigje