
Tensionet brenda organizimit të Eurovision 2025 po përshkallëzohen dita-ditës, duke marrë përmasa të paprecedenta. Pas tërheqjes së Spanjës, një nga vendet e mëdha të “Big 5”, si dhe të Holandës, Sllovenisë dhe Irlandës, sot ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar nga Islanda: nuk do të marrë pjesë në edicionin e 70-të të konkursit europian të këngës.
Vendimi u bë publik pasditen e së mërkurës nga televizioni publik islandez RUV, i cili njoftoi bojkotin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, në dritën e asaj që shumë vende dhe shoqëri civile e konsiderojnë një gjenocid në Rripin e Gazës.
Në deklaratën zyrtare drejtuar mediave, RUV thekson: “Duke marrë parasysh përplasjet e forta publike në Islandë dhe reagimet kundër vendimit të EBU-së për të pranuar Izraelin në garë, është e qartë se as gëzimi dhe as paqja nuk do të mbizotërojnë në një pjesëmarrje të mundshme të Islandës në këtë edicion të Eurovisionit”.
Më tej shtohet se: “Vendimi i sotëm është që RUV i komunikon zyrtarisht EBU-së se nuk do të marrë pjesë. Eurovisioni gjithmonë ka pasur për qëllim të bashkojë popullin islandez përmes muzikës – por tashmë është e qartë se ky mision nuk mund të përmbushet në këto rrethana”.
Ky zhvillim vjen pas valës së reagimeve ndërkombëtare ndaj EBU-së (Unioni Europian i Transmetuesve), që vendosi të mos përjashtojë Izraelin, pavarësisht akuzave të rënda ndërkombëtare për krime të luftës dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut në Gaza.
Lini një Përgjigje