TAGS-AT E JAVËS

Kulture 8 Dhjetor 2025, 14:10

Fëmija që ‘ecën në zemër të qytetit të vjetër’

Shkruar nga Pamfleti

Fëmija që ‘ecën në zemër të qytetit të

Sabrina Kuçi i fton fëmijët të ecin nëpër zemrën e qytetit të vjetër dhe të zbulojnë frymën që ruajnë legjendat, shtëpitë, urat dhe monumentet...

“Në zemër të qytetit të vjetër” është një libër që të afrohet ngadalë, sikur të të prekë krahut dhe të të ftojë të ecësh përmes një qyteti që nuk plaket, sepse ruhet në kujtimet e njerëzve. Sabrina Kuçi e trajton Shkodrën jo si hapësirë, por si qenie të gjallë që mban frymë në gurë, në dritaret e vjetra, në urën që lidh brigje dhe në zërin që ngrihet nga minarja. Riani dhe Serena bashkëbisedojnë me këtë qytet, si fëmijë që nuk dinë të gënjejnë ndjesinë dhe që kërkojnë thelbin e çdo gjëje që shohin. Në rrugëtimin e tyre, kujtesa shfaqet si dritë e imët që ndriçon gjurmët e historisë dhe ua mëson atyre se qyteti jeton vetëm kur dikush e dëgjon. Libri e kthen Shkodrën në vend takimi mes të shkuarës dhe fëmijëve që rriten, si të ishte një udhëzim i heshtur se dashuria për vendlindjen fillon me artin e njohjes dhe përkushtimin për ta mbajtur gjallë atë që koha rrezikon ta fshehë.

Shënime për librin "Në zemër të Qytetit të Vjetër, nga shkrimtari Xhahid Bushati

Autore: Sabrina Kuçi, redaktore: Msc. Senada Demushi (Delaj), grafika: Abel Spahija; Shkodër, Sh. B. "Fiorentia", 2025

Po cili është rrëfimi i autores Sabrina Kuçi në librin e saj "Në zemër të qytetit të vjetër"? Libri, sikur, të merr për dore dhe të thotë, se "Kujtesa e një qyteti" nuk është koncept abstrakt, por me shumë finesë ajo e përdorë atë si një hartë shpirtërore, ku mbahen mend: ngjarjet, traditat dhe legjendat, ruhen figurat historike, flasin objektet e trashëgimisë (Kalaja e Shkodrës, Ura e Mesit, Teatri "Migjeni", Shtëpia e "Pashko Vasës", Xhamia e Plumbit, Kisha e Madhe, Shtëpia e Oso Kukës, - dhe ku transmetohet identiteti qytetar. Por "Kujtesa" bëhet më e dukshme e dritëdhënëse përmes historive që Riani dhe Serena zbulojnë gjatë udhëtimit të tyre, duke e parë Shkodrën, vendlindjen e tyre, si një qytet që ka shpirt, që rron përmes rrëfimeve.

Kështu, që Riani dhe Serena janë fëmijët që përfaqësojnë kurreshtjen, pastërtinë dhe aftësinë për të parë thelbin e gjërave; e, për rrjedhojë ata (motër e vëlla) shfletojnë "Hartën e Kujtesës" për të kuptuar rrënjët e qytetit, provojnë të zbulojnë lidhjet mes objekteve të vjetra dhe historive që mbartin ato; mësojnë se gjithçka përreth tyre, si: kalaja, ura, shtëpitë, muzetë... etj., nuk janë thjeshtë gurë, por janë Mësues. Dhe, mësimi që sjell Sabrina përmes tyre, nëpërmjet syve të tyre na thotë: - Një qytet jeton, vetëm, kur ne njohim historitë e tij. Pa kujtesë, qyteti vdes. Riani dhe Serena mishërojnë brezin e ri që duhet të mbajë gjallë këtë trashëgimi.

SEKRETI I KALASË SË SHKODRËS.

Autorja sjell bukurinë e legjendës, sakrificën e Rozafës, forcën e dashurisë për familjen dhe ndërtimin. Sekreti i kalasë nuk është muri vetë, por guri që flet, sakrifica që ruan themelet, historia që nuk zhduket, forca e qytetit që lind nga qëndresa. Për fëmijët kjo legjendë nuk paraqitet e frikshme, ajo paraqitet si një mësim për dashurinë, për besën dhe rolin e grave në historinë shqiptare. DRITË NËN URË. Po si paraqitet "Ura e Mesit" si element kujtese në sytë e fëmijëve? Autorja e shikon "Urën e Mesit" si një mrekulli të gurit, si një simbol të lidhjes mes njerëzve, si një urë që bashkon brigje, kohë dhe histori. Riani dhe Serena mësojnë se, ura nuk është një objekt i vjetër, por ajo ruan historitë e tregtarëve, të udhëtarëve të dikurshëm, të legjendave që kanë kaluar sipër saj. Në sytë e tyre, URA bëhet një pyetje e hapur: "Sa histori mban një gur?" PERDE QË FLASIN...

Teatri "Migjeni" është një tjetër element kujtese. Ai përfaqëson: - frymën artistike të Shkodrës; - shkollën qytetare të kulturës; - pasionin për artin skenik. Vetë autorja, si shkrimtare që e ka komshi Teatrin, e paraqet, atë, si: - një derë që hap imagjinatën; si një vend ku lindin ëndrra; si një tempull arti që ushqen shpirtin. Dhe kemi një mesazh në këtë pjesë: - Teatri është një Kujtesë e gjallë, sepse arti e bën njeriun më të mirë dhe më të hapur ndaj botës. DYER QË FLASIN, MURE QË KUJTOJNË...

Shtëpia e Pashko Vasës është një dimension e vlerë rëndësie në librin e çmueshëm të Sabrinës. Sepse, gjejmë rolin e patriotit, të rilindasit dhe poetit Pashko Vasa. Gjithashtu, gjejmë vlerën e kulturës së shkolluar dhe mendimit qytetar, kontributin e Pashko Vasës për kombin. Kjo shtëpi ka vlerë historike, sepse: - rikonfirmon Shkodrën si qendër të Rilindjes Kombëtare, - ruan kujtimin e një njeriu që thirri në kohë: "O moj Shqypni, e mjera Shqypni!", - flet për të kaluarën e ndritur dhe detyrën për ta trashëguar. Pra, DYER QË FLASIN = TRADITA. - PRA, MURE QË KUJTOJNË = HISTORIA QË NUK SHUHET ZËRI I MINARESË.

Xhamia e Plumbit, është një nga monumentet më të vjetra të Shkodrës, që për autoren përfaqëson: - harmoninë fetare të qytetit; qëndresën e kulturës materiale, bukurinë arkitekturore osmane. Ndërsa, zëri i Minares është: - Thirrja e Kujtesës, është zëri i traditës që edhe pse e goditur nga koha, përmbytjet, luftërat, vazhdon të qëndrojë; dhe njëkohësisht tregon: - se besimet fetare dhe kulturat ndërthuren pa u përplasur. YJET NË TAVANIN E IDROMENOS. Kjo pjesë ka një vështrim tjetër nga ana e autores, ajo i përmbahet një dialogu me artin e Kolë Idromenos. Kur flasim për artin, Mjeshtri Idromeno është arkitekt, piktor dhe fotograf. Autorja, si e fushës, e përshkruan arkitekturën e Mjeshtrit, si një art që të flet; si një dritë që hyn si "yje" nga tavanet e punuara, si një kujtesë që ruhet në çdo kornizë, skulpturë dhe cep shtëpie. Për fëmijët, Idromeno nuk është thjesht piktor: - ai bëhet magjistar i dritës, - krijues ëndrrash, - një zë i artit të Shkodrës që flet bukur e me bukuri!

SEKRETI I SHTËPISË SË OSO KUKËS. Oso Kuka është figurë e heroizmit shkodran. Shtëpia e tij, në libër, shfaqet si një strehë e guximit, - historisë së rezistencës, - akti i tij të frymëzon për trimëri. Por 'Sekreti i shtëpisë' është besa dhe flijimi i Oso Kukës për mbrojtjen e atdheut. Është një mësim ky, që Sabrina ua jep fëmijëve në mënyrë të qartë, të kuptueshme dhe të bukur. * * * Libri "Në zemër të qytetit të vjetër" është një ode (vjershë lirike) për Shkodrën, për historinë dhe shpirtin e saj; një mënyrë për fëmijët, që të njohin rrënjët e qytetit të tyre, të mësojnë vlerën e kulturës, të kuptojnë madhështinë e trashëgimisë, të ndërtojnë një identitet qytetar të dendur dhe të shëndetshëm. Nëpërmjet Rianit dhe Serenës, autorja i fton fëmijët që: - Të duan qytetin e tyre duke e njohur.  

sabrina kuçi

Lini një Përgjigje