TAGS-AT E JAVËS

Kulture12 Dhjetor 2025, 13:47

“Dyl Dysheku” i Ilir Mborjes, satira që godet gjumin letargjik të shqiptarëve

Shkruar nga Kastriot Kotoni

“Dyl Dysheku” i Ilir Mborjes, satira që godet gjumin letargjik

Novela “Dyl Dysheku” e Ilir Mborjes që doli së fudmi nga shtypi, është një pasqyrë therëse e realitetit shqiptar, një vepër që ndërthur humorin e hollë me filozofinë e thellë dhe që, përmes një rrëfimi të thjeshtë në dukje, godet në zemër të ontologjisë sonë kombëtare. Teza dhe antitezat e filozofisë Maksiste - Leniniste , të shfaqura në dialogjet mes Dylit dhe ish‑profesorit të tij, shërbejnë si një alegori e aktualitetit të tranzicionit shqiptar, ku përplasja mes vlerave të dikurshme dhe logjikës së re të tregut merr trajta groteske.

Në qendër të saj qëndron figura e Dylit, dikur një nxënës i dobët me mbiemrin simbolik Hiçi, i cili pas viteve ’90 shndërrohet në biznesmen të suksesshëm duke shitur dyshekë. Ky transformim nuk është thjesht një histori individuale, por një metaforë e fuqishme për mënyrën se si shoqëria shqiptare e tranzicionit përmbysi vlerat, duke ngritur lart ata që dikur nuk kishin asnjë peshë dhe duke lënë në hije njerëzit e dijes e të përkushtimit.

Autori, që shkruan në vetë të parë kur tregon takimin e tij me Dylin e pas 90-s, që del nga një Benz i zi dhe kapardiset para tij, është një skenë që përmbledh gjithë absurditetin e kohës. Profesori, përfaqësues i brezit të vlerave të vjetra, i sapo dalë nga çmendina…, i lodhur dhe i braktisur, përballet me një realitet ku kupton se dijet e tij nuk vlejnë më. Ndërsa Dyli, me një vetëkënaqësi të çuditshme dhe gjasme cinik me veten, por në fakt me atë që dikur e përçmonte, i shpjegon se “Zoti ndihmon budallain”, duke e justifikuar kështu suksesin e vet, ndryshe nga ish profesori i tij, si të merituar... Në këtë përmbysje rolesh, autori na tregon se si shoqëria shqiptare shpesh shpërblen ata që kanë nuhatje tregtare dhe jo ata që kanë dije…

Por thelbi i novelës qëndron te metafora e dyshekut. Dyli nuk shet thjesht një produkt; ai shet një mënyrë jetese, një filozofi të tërë kombëtare. Për të, dysheku është “traktat politik”, një objekt që përfaqëson jo vetëm rehatinë fizike, por edhe gjumin shoqëror, atë gjumë që ka paralizuar shpirtin e protestës te shqiptarët. Në një vend ku njerëzit shpesh zgjedhin të heshtin, të durojnë, të presin që “të iki nata”, dysheku bëhet simbol i letargjisë kolektive. Dikur thoshin “Bukë me gjizë e TeleDue”, sot thonë “Futja gjumit, rri rehat, sa të ikë edhe kjo natë!”.

Anekdota e Dylit për emigrantët e viteve ’30, që gjoja e këndonin himnin “Rreth flamurit të përbashkuar/Me një dyshek e një qilim”, është një humor i hidhur që nxjerr në pah një të vërtetë të thellë: shqiptarët shpesh kanë ëndërruar pasuri të lehta, jetë të rehatshme, sukses pa mund. Në këtë kuptim, biznesi i Dylit nuk është rastësi. Ai e di mirë se çfarë kërkon populli: rehatinë, jo përballjen; gjumin, jo zgjimin; dyshekun, jo protestën. Ai e kupton se për një shoqëri që vetëm fle gjumë e nuk zgjohet, ngritja e “standardit të jetesës” fillon nga blerja e dyshekut…

Novela e Mborjes, e mbushur me peripeci humoristike dhe ironi përvëluese, e çon lexuesin drejt një reflektimi të thellë: kush do ta zgjojë këtë popull nga gjumi i gjatë? Kush do ta thyejë këtë cikël letargjie, ku njerëzit flenë ndërsa të tjerët u marrin të ardhmen? Përmes dialogëve mes tij dhe Dylit, autori na tregon se si dijet e vërteta shpesh mbeten të pavlefshme në një shoqëri që vlerëson më shumë instiktin tregtar sesa mendimin kritik.

“Dyl Dysheku” nuk është thjesht një novelë humoristike; është një diagnozë e saktë e shpirtit shqiptar, një thirrje e heshtur për t’u zgjuar, për të mos e lënë timonin e jetës në duart e gjumit. Në këtë kuptim, dysheku i Dylit është shumë më tepër se një objekt është metafora e një kombi që duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të flejë, apo më në fund do të zgjohet?

3 Komente

  1. S
    Sateri

    Kjo eshte letersia e vertete qe mungon, e jo letersia e denglave qe sundon sot. Urime Mborjes dhe Kotonit qe na orjenton drejt cilesise.

    1. Q
      Qafa

      U bera kaq e gje me te bukur nuk kam lexu. ku ta gjej librin?

      Lini një Përgjigje