
Filmimet e turistëve të huaj në udhëtimet e tyre në sajtet aerologjike të Shqipërisë në parkun e qytetit antik në Finiq kanë ngjallur debat.
Disa buldozerë u filmuan duke gërmuar mbi rrënoja antike dhe fillimisht u mendua se ishin jenë kërkues thesaresh që po shkatërronin sitin kulturor.
Top Channel investigoi dhe zbuloi se pas gërmimeve të kryera ditët e fundit në Parkun Antik të Finiqit, nuk qëndrojnë thesarkërkues, siç denoncuan fillimisht turistët, por punonjës të shtetit, të cilët po gërmonin në mes të parkut arkeologjik me mjete të rënda.
Në këtë zonë të mbrojtur ka nisur projekti “Restaurimi dhe konsolidimi i murit rrethues”, me një vendim të datës 25 korrik 2025 të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pas kërkesës së bërë nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore. Institucioni përgjegjës për zbatimin e punimeve është Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Pikëpyetjet janë të mëdha, jo për faktin që është dhënë leje për restaurimin e murit rrethues të sitit arkeologjik, por për mënyrën se si po kryhen këto ndërhyrje. Lejimi i mjeteve të rënda në zemër të parkut antik rrezikon seriozisht integritetin e sitit, duke cenuar shtresat arkeologjike të ekspozuara dhe strukturat antike që janë zbuluar me kujdes ndër vite.
Ndërkohë, Bashkia e Finiqit dhe instancat e tjera vendore deklaruan për Top Channel se nuk kishin asnjë dijeni për ndonjë ndërhyrje të tillë të nisur në parkun antik.
Por a rrezikon kjo mënyrë ndërhyrjeje punën gati 10-vjeçare të arkeologëve? Përgjigjja është e qartë sipas arkeologut Halil Shabani, i cili e cilëson këtë praktikë si të patolerueshme, duke theksuar se metoda të tilla nuk zbatohen në asnjë vend ku respektohen standardet e konservimit dhe restaurimit arkeologjik.
Edhe ministri Blendi Gonxhe ka reaguar ndaj pretendimeve të turistëve, duke theksuar se në Finiq po zhvillohen punime të miratuara restaurimi, të cilat po kryhen sipas standardeve dhe procedurave ligjore.
Gonxhe sqaron se “Konsideruar peshën e rëndë të gurëve ciklopikë të rrëzuar, në raste të tilla, përdoren mjete të specializuara ngritëse me kapacitet deri në 4.8 ton, plotësisht në përputhje me normat dhe kriteret e VKM nr. 1099/2020. Pikërisht këto mjete dhe veprimtari janë keqinterpretuar si gërmime të paligjshme, ndërkohë që ato janë pjesë e procesit të dokumentuar të restaurimit”.
Edhe forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër. Sipas forumit, në asnjë sit arkeologjik të kësaj rëndësie nuk mund të futen mjete të tilla të cilat dëmtojnë rëndë shtresat kulturore dhe arkeologjike
“Si përgjigje për interesin e lartë të mediave mbi çështjen e Parkut të Finiqit, Ministria e Kulturës ka lëshuar një deklaratë shtypi duke treguar se punimet me eskavator në Akropolin e Finiqit janë të autorizuara nga ajo vetë.
Ndërkohë media prezente në sitin arkeologjik nuk gjeti asnjë arkeolog apo restaurator.
Ndërkohë sipas Ministrisë së Kulturës këto punime kryhen nga firma “JOGI shpk”.
Me një kërkim shumë të thjeshtë në faqet e administratës mund të vërtetohet se firma “JOGI shpk” nuk ka asnjë përvojë të ngjashme në restaurimin e mureve antike të një rëndësie ndërkombëtare si Finiqi.
E dyta, këto punime të autorizuara nga Ministria e Kulturës nuk janë të paraqitura në sitin e IKTK-së, website ku botohen të gjitha vendimet e këtij institucioni”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje