TAGS-AT E JAVËS

Kulture29 Shtator 2025, 20:18

Arkivi i Filmit dhe Universiteti Politeknik i Tiranës nisin një projekt për shpëtimin e trashëgimisë filmike shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

Arkivi i Filmit dhe Universiteti Politeknik i Tiranës nisin një

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) dhe Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), nënshkruan një protokoll bashkëpunimi dhe shpallin nisjen e një projekti të rëndësishëm për shpëtimin dhe ruajtjen e materialeve filmike të fondit të UPT-së, të cilat do të dalin për herë të parë në dritë.

Ky bashkëpunim synon ndërhyrjen emergjente për arkivimin dhe konservimin e një fondi të gjerë që përfshin:

* filma 35 mm dhe 16 mm,

* mijëra fotografi historike,

të cilat përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për historinë e kinemasë dhe kujtesën vizuale shqiptare.

Materialet, të ruajtura ndër vite në kushte jo gjithmonë të përshtatshme teknike, gjenden aktualisht në rrezik degradimi, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur humbjen e tyre të pakthyeshme.

Në takimin e organizuar për nisjen e këtij bashkëpunimi morën pjesë:

* Akli Fundo, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës

* Eljan Tanini, Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

* Prof. Gjergji Islami, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU)

* Stafi teknik i Arkivit të Filmit

Ky Protokoll ka për qëllim vendosjen e një kuadri bashkëpunimi ndërmjet AQSHF-se dhe UPT-së për ruajtjen, digjitalizimin, promovimin dhe shkëmbimin e materialeve filmike, fotografike, historike dhe kulturore që kanë lidhje me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe filmimet me karakter edukativ e studimor që janë kryer nga laboratori i fotografisë dhe filmit të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Palët angazhohen të bashkëpunojnë në:

•​Identifikimin dhe ruajtjen e materialeve audiovizive që disponon UPT.

•​Krijimin dhe ruajtjen e fondit të UPT në AQSHF.

•​Digjitalizimin e materialeve filmike të interesit të përbashkët.

•​Shkëmbimin e njohurive profesionale në fushën e arkivistikës dhe të përpunimit të materialeve arkivore.

•​Shkëmbim materialesh dhe shërbimesh, sipas nevojave që mund të kenë institucionet.

•​Promovimin e përbashkët të dokumentarëve shkencorë, historikë dhe filmave arkivorë me tematikë studimore e edukative.

•​Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, edukative, artistike, kulturore.

Ky partneritet ndërinstitucional shënon një hap të parë të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filmike kombëtare, duke e konsideruar atë jo vetëm si kujtim, por si dëshmi të gjallë të historisë sonë.

Lini një Përgjigje