TAGS-AT E JAVËS

Kulture15 Maj 2026, 21:50

Arjan Dodaj: Vladimir Gjika, princi me rrënjë shqiptare që u kthye në simbol të qëndresës ndaj komunizmit

Shkruar nga Pamfleti
Arjan Dodaj: Vladimir Gjika, princi me rrënjë shqiptare që u
Ikona e të Lumit Vladimir Gjika

Në Tiranë organizohet më 16 maj një mbrëmje përkujtimore për meshtarin dhe martirin katolik, me pjesëmarrjen e autoriteteve kishtare, diplomatëve dhe studiuesve

Kisha Katolike përkujton më 16 maj të Lumin Vladimir Gjika, meshtarin katolik me origjinë aristokrate rumuno-shqiptare, i cili humbi jetën në burgjet e regjimit komunist rumun, pasi refuzoi të braktiste Kishën dhe besimin e tij.

Në kuadër të kësaj date përkujtimore, në Tiranë do të zhvillohet një veprimtari kushtuar jetës, shërbesës dhe martirizimit të tij. Aktiviteti do të mbahet në Sallën “Kardinal Ernest Simoni”, pranë Kryeipeshkvisë Metropolite Tiranë-Durrës, në orën 18:45, menjëherë pas meshës së orës 18:00.

Veprimtaria organizohet nga Kryedioqeza Metropolite e Bukureshtit dhe Kryedioqeza Metropolite Tiranë-Durrës dhe mban temën: “I Lumi Vladimir Ghika (Gjika), rrënjët – meshtaria – martiri”, raporton VaticanNews.

Në këtë takim do të marrin pjesë kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkvi metropolit i Bukureshtit, imzot Aurel Percă, ambasadorja e Shqipërisë në Rumani, Enkeleda Merkuri, postulatori i çështjes së shenjtërimit, imzot Francisc Ungureanu, si dhe kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës së Shqipërisë, Thomas Frashëri. Në aktivitet janë ftuar edhe studiues të historisë së krishterimit, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe besimtarë.

Mbrëmja do të përfshijë projeksion filmi dhe një konferencë kushtuar figurës së Vladimir Gjikës, ndërsa në përfundim do të organizohet një koktej vëllazëror. Besimtarët do të kenë gjithashtu mundësinë të nderojnë reliket e të Lumit në katedralen e Shën Palit në Tiranë.

Arjan Dodaj: Vladimir Gjika, princi me rrënjë shqiptare që u

Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, e konsideron figurën e Vladimir Gjikës pjesë të rëndësishme të kujtesës së Kishës dhe historisë së popujve që kanë kaluar përmes diktaturave.

Vladimir Gjika lindi më 25 dhjetor 1873 në Kostandinopojë, në një familje aristokratike me origjinë rumuno-shqiptare. Familja Gjika mendohet se kishte rrënjë nga Përmeti dhe gjatë periudhës osmane u vendos në Fanar të Kostandinopojës. Gjikajt krijuan lidhje të forta politike në Perandorinë Osmane dhe për vite sunduan Moldavinë dhe Vllahinë. Nga kjo familje dolën figura të njohura të jetës politike, diplomatike dhe kulturore evropiane, ndër to edhe Elena Gjika, e njohur me emrin Dora d’Istria.

I lindur në një ambient privilegjesh dhe diplomacie, Vladimir Gjika ndoqi studimet në Francë, Romë dhe Paris. Formimi i tij intelektual u shoqërua me interes të veçantë për filozofinë, teologjinë dhe çështjet shoqërore.

Në vitin 1902 ai kaloi nga ortodoksia në katolicizëm. Sipas bindjes së tij, afrimi me Kishën Katolike nuk përfaqësonte shkëputje nga tradita lindore, por një mënyrë për të jetuar më thellë fenë e krishterë.

Fillimisht, Papa Piu X nuk lejoi shugurimin e tij si meshtar, duke vlerësuar se Gjika mund të kishte rol më të dobishëm si laik në marrëdhëniet me botën ortodokse. Vetëm në vitin 1923, në moshën 50-vjeçare, Vladimir Gjika u shugurua meshtar në Paris.

Pas shugurimit ai zhvilloi një veprimtari të gjerë pastorale dhe humanitare. Shërbeu në vende të ndryshme, përfshirë Japoninë, Australinë, Argjentinën, Irlandën dhe Hungarinë. Mori pjesë në kongrese eukaristike, botoi artikuj dhe libra, por pjesën më të madhe të energjive ia kushtoi ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.

Në periferi të Parisit ai jetoi në kushte të thjeshta, pranë shtresave të varfra dhe të përjashtuara. Ndihmoi refugjatë, jetimë, të sëmurë dhe të burgosur. Për Gjikën, shërbesa fetare lidhej drejtpërdrejt me kujdesin konkret ndaj njeriut.

Arjan Dodaj: Vladimir Gjika, princi me rrënjë shqiptare që u
imzot Arjan Dodaj

Ai mbajti lidhje me figura të njohura të kulturës franceze dhe evropiane, mes tyre Jacques Maritain, Paul Claudel dhe François Mauriac, por veprimtaria e tij mbeti e përqendruar tek njerëzit në nevojë dhe tek puna pastorale.

Pas vendosjes së regjimit komunist në Rumani, Vladimir Gjika kishte mundësi të largohej jashtë vendit, së bashku me mbretin Mihail, por refuzoi të largohej. Ai vendosi të qëndronte pranë Kishës Katolike dhe besimtarëve në një periudhë përndjekjeje të ashpër.

Autoritetet komuniste e konsideruan figurë të rrezikshme për shkak të profilit të tij: princ me lidhje ndërkombëtare, intelektual, meshtar katolik dhe mbështetës i lidhjeve me Selinë e Shenjtë.

Më 18 nëntor 1952 u arrestua nga Sigurimi rumun dhe u dërgua në burgun e Zhilavës. Në atë kohë ishte 80 vjeç. Gjatë hetimeve dhe izolimit iu nënshtrua torturave dhe presioneve për të hequr dorë nga besnikëria ndaj Kishës Katolike dhe Papës.

Sipas dëshmive të të burgosurve, gjatë kohës në burg Vladimir Gjika vazhdoi të mbështeste moralisht të dënuarit e tjerë. Ai lutej me ta, u fliste për fenë dhe shpresën dhe mbante qëndrim pajtues edhe ndaj persekutuesve.

Vladimir Gjika vdiq më 16 maj 1954, si pasojë e torturave dhe kushteve të rënda të burgimit.

Sot ai nderohet nga Kisha Katolike si martir i komunizmit dhe si figurë që lidh historinë e Kishës me kujtesën e popujve të Evropës Lindore që përjetuan regjimet totalitare.

 

 

imzot arjan dodaj vladimir gjika komunizmi

Lini një Përgjigje