TAGS-AT E JAVËS

Kulture15 Maj 2026, 15:51

Ndahet nga jeta piktori i filmit Shyqyri Sako!

Shkruar nga Pamfleti
Ndahet nga jeta piktori i filmit Shyqyri Sako!
Shyqyri Sako

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare piktori i njohur i filmit shqiptar, Shyqyri Sako, një prej emrave të rëndësishëm të artit skenografik dhe afisheve të filmit në vend.

Lajmi është bërë i ditur nga i biri, Ergys Sako, përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas njoftimit, ceremonia mortore do të zhvillohet pranë ish-Ambasadës Jugosllave, te Rruga e Durrësit, ndërsa varrimi do të bëhet të shtunën në orën 11:00 në varrezat e Tufinës.

Shyqyri Sako kishte një karrierë artistike që zgjati rreth pesë dekada. Ai studioi për pikturë filmi në Institutin e Artit VGIK në Moskë, megjithëse nuk arriti t’i përfundonte studimet atje. Më pas u diplomua në Tiranë dhe në vitin 1963 nisi punën në Kinostudio.

Filmi i parë ku kontribuoi si piktor ishte “Detyrë e posaçme”, ndërsa gjatë karrierës së tij punoi në dhjetëra prodhime kinematografike shqiptare, deri te filmi “Plumba prej plasteline” në vitin 1997, kur doli në pension.

Për kontributin e tij artistik, Sako u vlerësua me medalion në Festivalin e 4-t të Filmit Shqiptar për punën me dekoret dhe rekuizitat në filmin “Mësonjëtorja”.

Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij lidhet edhe me realizimin e afisheve të filmave shqiptarë, të cilat sot ruhen si pjesë e trashëgimisë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Me ndarjen nga jeta të Shyqyri Sakos, arti dhe kinematografia shqiptare humbin një prej emrave që kontribuoi për dekada në identitetin vizual të filmit shqiptar.

shyqyri sako

Lini një Përgjigje