Po zhvillohet gjysmëfinalja e dytë e “Eurovision 2026” dhe Shqipëria ka sjellë një nga performancat më të forta të mbrëmjes me këngëtarin Alis dhe këngën “Nan”.
Artisti nga Shkodra u ngjit në skenën e madhe të Vienës si i 13-ti në radhë, duke dhuruar një performancë emocionale dhe spektakolare që elektrizoi sallën dhe publikun para ekranit.
Me interpretimin vokal të fuqishëm, skenografinë dramatike dhe atmosferën e krijuar gjatë këngës, Alis mori reagime entuziaste nga fansat dhe komentuesit e festivalit.
Një element që e bëri performancën edhe më të veçantë ishte prania në skenë e aktores së njohur Rajmonda Bulku, e cila i dha më shumë emocion dhe simbolikë interpretimit të “Nan”.
Pak minuta para se të ngjitej në skenën e Eurovisionit, Alis publikoi edhe një mesazh emocionues në rrjetet sociale, duke ftuar shqiptarët kudo në botë të votojnë për Shqipërinë.
“Do të ngjitem në skenë së shpejti! Mos harroni të votoni nr. 13”, shkroi ai.
Pritshmëritë për përfaqësimin shqiptar këtë vit kanë qenë mjaft të larta që prej prezantimit të këngës “Nan”, e cila është vlerësuar gjerësisht nga fansat e Eurovisionit dhe kritikët muzikorë si një nga baladat më emocionale dhe vokalisht më të forta të këtij edicioni.
Vlerësimet pozitive u shtuan edhe gjatë provave gjenerale, ku performanca e Alis mori reagime të forta nga publiku në sallë dhe nga mediat që ndjekin festivalin europian.
Tashmë vëmendja është te votat e publikut, ndërsa shqiptarët në mbarë botën po mobilizohen për të mbështetur Shqipërinë dhe numrin 13 në garën për finalen e madhe të Eurovision 2026.
Nje performace fantastike e Alis, super ze, super prezence skenike, super kostumografi, por e shkaterruar nga Grafika shoqeruese e klipit, nje pacavure grafike, e vjeter dhe pa koncept, qe ne fakt ishte e vetmja gje per te cilen ishte pergjegjese RTSH. Urime Alisit dhe Shqiperise per finalen.
SShqiptar kudo jeni votoni.Eshte ceshtje kombetare