Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të 35-vjeçarit Akil Tahiri, e ndodhur paraditen e 24 prillit në fshatin Gurëz, në Kurbin, ndërsa ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Akil Tahiri është konfliktuar, për motive të dobëta, me shtetasin Fation Cobelita, alias Fation Staka, 40 vjeç, banues në fshatin Gorre, i cili dyshohet se e ka plagosur me armë zjarri në këmbë.
Në lidhje me ngjarjen, në kërkim është shpallur edhe shtetasi Renato Marku, 26 vjeç, i cili dyshohet për moskallëzim krimi. Sipas policisë, ai ka shoqëruar të plagosurin në spital dhe më pas është larguar, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte.
Ngjarja ka marrë një tjetër dimension pas verifikimeve në spitalin e Laçit, ku rreth orës 10:20 ka mbërritur i plagosuri. Sipas policisë, mjeku roje nuk ka njoftuar shërbimet e rendit, por e ka dërguar 35-vjeçarin për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për këtë arsye, ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për veprën “Shpërdorimi i detyrës”.
Autoritetet bëjnë me dije se F. C. akuzohet për “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa ndaj R. M. rëndon akuza për “Moskallëzim krimi”.
"Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur paraditen e djeshme, në fshatin Gurëz, Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar. Identifikohet autori dhe shpallet në kërkim.
Gjithashtu, u shpall në kërkim edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi. Procedohet penalisht edhe mjeku roje i spitalit, për mosnjoftim të shërbimeve të Policisë.
Në vijim të informacionit të dhënë për ngjarjen e ndodhur më datë 24.04.2026, pas veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se: Shtetasi A. T. është konfliktuar, dyshohet për motive të dobëta, me shtetasin F. C., alias F. S., i cili dyshohet se ka plagosur 35-vjeçarin.
Ndërsa shtetasi R. M., 26 vjeç, ka shoqëruar në spital 35-vjeçarin dhe më pas është larguar, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte.
Po nga veprimet rezulton se, rreth orës 10:20, në spitalin e Laçit ka mbërritur i plagosur në këmbë me armë zjarri (pistoletë) 35-vjeçari dhe mjeku roje nuk ka njoftuar shërbimet e Policisë, por e ka dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve: F. C., alias F. S., 40 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; R. M., 26 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. I., 58 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka kryer detyrën e tij funksionale.
Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje