Në Gjykatën e Gjirokastrës po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Dali Nelës dhe vjehrrit të tij, Aldo Kalemi, të arrestuar pas vrasjes së 30-vjeçarit Endri Goxhaj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 21 prillit në qendër të Memaliajt.
Në seancë është paraqitur vetëm Aldo Kalemi, ndërsa Dali Nela ndodhet në spital pasi mbeti i plagosur me katër plumba gjatë përplasjes. Po gjatë ditës së sotme pritet të shqyrtohet edhe masa e sigurisë për Ermal Matajn, i përfshirë në të njëjtën ngjarje.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit e Dali Nelës, Donaldo dhe Marjaldo Nela, të dyshuar për përfshirje në vrasje. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë nisur si një konflikt i çastit mes palëve, i cili më pas ka përshkallëzuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu si pistë edhe konfliktet e mëparshme që lidhen me pazare droge.
Nga të dhënat paraprake, rezulton se viktima Endri Goxhaj ka qëlluar i pari me armë zjarri në drejtim të Dali Nelës, duke e plagosur rëndë. Më pas, dy vëllezërit Nela dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë, duke qëlluar ndaj Goxhajt, i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Pas ngjarjes, Donaldo Nela, 29 vjeç dhe Marjaldo Nela, 28 vjeç, janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.
Lini një Përgjigje