
Maliq Marku, autor i vrasjes së Shefqet Hasës dhe plagosjes së Besim Keçës është marrë në pyetje nga oficerët e policisë së Tiranës.
"Gjithçka ndodhi shumë shpejt, ata të dy më kanë ofenduar gjatë ditës së djeshme", ka deklaruar ai.
Para bluve ai ka konfirmuar debatin që kanë patur për mosmarrëveshje për kanalizimet. Sipas 70-vjecarit ka kërkuar të sqarohet me fqinjët por situata doli nga kontrolli dhe në gjaknxehtësi e sipër mori armën në shtëpi dhe qëlloi ndaj tyre. Ai pretendon se ka qëlluar për vetëmbrojtje dhe ka shprehur pendesë për veprimin.
Sipas informacioneve autori prej një jave ishte kthyer nga Anglia. Pasi u kthye nga Anglia, ai ka shkuar tek ujësjellësi për të lidhur edhe banesën e tij me kanalin. Ujësjellësi ka bërë piketimin, ndërsa 2 fqinjët, para se të ndodhte ngjarja i kanë thënë që nuk do ta lidhte pasi nuk kishte paguar më herët para.
Kjo pasi mësohet se kohë më parë, banorët e zonës kanë mbledhur para për ndërtimin e kanalit të ujërave të zeza, por Marku nuk ka paguar pasi ka qenë jashtë vendit. Pas shkëmbimit të këtyre fjalëve në gjaknxehtësi e sipër, autori ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar.
Pas të shtënave, 4 plumba ka marrë viktima Shefqet Hasa, ndërsa 2 plumba, 1 në bark e 1 në këmbë i plagosuri Besim Keça. Në momentin e të shtënave, në afërsi të zonës ka qenë polici i zonës, i cili e ka dëgjuar dhe më pas është afruar dhe ka gjetur personin e plagosur duke vrapuar, e ka vendosur në makinë.
Më tutje ka gjetur të vdekur Shefqet Hasën. Ka hyrë në banesë dhe brenda autori Maliq Marku fillimisht ka bërë rezistencë për t'u dorëzuar, por pas negociatave ka hedhur armën në bahçe dhe më pas i kanë vënë prangat. Në deklarimet e para ka thënë: "E vrava për punë kanali”.
Lini një Përgjigje