TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Prill 2026, 21:50

Vrasja në Lezhë, të afërmit e çiftit Mujeci: Nuk ka lidhje me gjakmarrjen!

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja në Lezhë, të afërmit e çiftit Mujeci: Nuk ka
Kreshnik Mujeci

Gjergj Neli, avokat dhe i afërm i Kreshnik Mujecit, i cili u vra së bashku me bashkëshorten e tij në atentatin e sotëm në Lezhë, ka reaguar publikisht përmes një deklarate në rrjetet sociale.

Në reagimin e tij, ai shpreh dhimbjen për humbjen tragjike dhe solidaritetin me familjarët, ndërsa dënon ashpër aktin kriminal dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

Avokati i bën thirrje mediave dhe opinionit publik që të tregojnë kujdes në raportimin e ngjarjes, duke kundërshtuar në mënyrë të qartë aludimet për motive hakmarrjeje apo gjakmarrjeje. Sipas tij, nuk ka baza për lidhje të tilla dhe kërkon që hetimet të mos kufizohen vetëm në një pistë.

Ai thekson gjithashtu se Kreshnik Mujeci nuk është gjetur fajtor në lidhje me një ngjarje të vitit 2017, duke kujtuar se çështja është shqyrtuar dhe mbyllur nga institucionet e drejtësisë.

Në fund të reagimit, avokati Neli apelon për përgjegjësi nga mediat dhe për transparencë të plotë nga autoritetet, ndërsa kërkon drejtësi për viktimat e atentatit.

Reagimi i plotë i avokatit:

Për ngjarjen e rëndë dhe makabre të atentatit ndaj Kreshnik Mujecit me familje

Me mallëngjim dhe me keqardhje morëm vesh njoftimin e hidhur, në lidhje me ngjarjen e rëndë të një atentati të ndodhur sot në fshatin Balldren, Njësia Administrative Balldre, Bashkia Lezhë, ku humbën jetën tragjikisht shtetasit Kreshnik Mujeci dhe Gentjana Mujeci, ndaj për këtë atentat makabër shprehim dhimbjen e thellë dhe solidaritetin me familjarët e viktimave në këtë moment të vështirë.

Dënojmë me forcë këtë akt të rëndë kriminal dhe kërkojmë nga organet ligjzbatuese zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të ngjarjes, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.

Njëkohësisht, dënojmë publikisht deklarimet e disa mediave, të cilat kanë aluduar se kjo ngjarje lidhet kryesisht me motive hakmarrjeje, meqenëse gjaku dhe fisi Mujecëve nuk u kanë asnjë detyrim. Versione të kësaj natyre mund të jenë një nga pistat e dyshuara për organet ligjzbatuese, por këshillojmë që të mos lihen në harresë edhe pista të tjera për ngjarjen kriminale të ndodhur.

Kreshnik Mujeci ka qenë një familjar i rregullt dhe i dashur, i respektuar nga të afërmit dhe nga i gjithë komuniteti përreth Lezhës dhe Shkodrës, i cili merrej me blegtori së bashku me bashkëshorten e ndjerë për të përballuar jetesën në shërbim të familjes.

Këto pretendime janë të pavërteta dhe të pabazuara përtej çdo dyshimi në lidhje me ngjarjen e vitit 2017 në Malin e Jushit, për të cilën është trajtuar dhe ezauruar nga organet kompetente, përkatësisht Prokuroria e Shkodrës, si dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit Shkodër.

Në përfundim të këtyre proceseve, shtetasi Kreshnik Mujeci nuk është gjetur fajtor në lidhje me atë ngjarje. Për rrjedhojë, çdo përpjekje për ta lidhur ngjarjen e sotme me pretendime të tilla është e papranueshme dhe cenon të vërtetën, si dhe rëndon padrejtësisht mbi familjen e viktimave.

U bëjmë thirrje mediave të tregojnë përgjegjësi profesionale, të verifikojnë informacionin dhe të shmangin përhapjen e lajmeve të pasakta që mund të ndikojnë negativisht në opinionin publik dhe në dinjitetin e familjeve që supozohet të përfshira në konflikt.

Për këtë kërkojmë drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes, transparencë të plotë për këtë ngjarje makabre dhe të rëndë.

Zoti forcoftë familjarët dhe gjithë miqësinë kudo që janë.

Lamtumirë kushëriri im!
Lamtumirë kunatë!
Pushofshi në paqen e Zotit!

Lini një Përgjigje