TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Prill 2026, 21:10

Detaje nga atentati në Lezhë, autorët dolën nga një makinë pa targa dhe qëlluan me kallashnikov

Shkruar nga Pamfleti
Detaje nga atentati në Lezhë, autorët dolën nga një
Pamje nga atentati

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me mënyrën sesi atentatorët organizuan dhe kryen vrasjen e Kreshnik Mujecit dhe bashkëshortes së tij në Lezhë. Mësohet se një makinë u preu rrugën, ndërsa dy persona me kallashnikovë dolën nga një automjet pa targa dhe hapën zjarr.

Sipas burimeve hetimore, çifti po udhëtonte me automjetin e tyre tip “Audi” në aksin Balldren–Torovicë, kur u përballën me pritën e organizuar. Pas bllokimit të rrugës, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të mjetit, duke i lënë të vdekur në vend. 

Verifikimet paraprake tregojnë se ndaj automjetit janë qëlluar mbi 30 plumba, çka tregon intensitetin e sulmit. Sipas hetimeve paraprake, shënjestër e atentatit dyshohet të ketë qenë Kreshnik Mujeci, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti viktimë e sulmit. Dyshohet se autorët kanë përdorur më shumë se një automjet dhe kanë monitoruar lëvizjet e viktimave gjatë gjithë ditës.

Mësohet se çifti kishte qenë më herët në një lokal dhe dyshohet se është ndjekur që nga momenti i daljes. Pas atentatit, autorët janë larguar pa lënë gjurmë.

Në kuadër të hetimeve, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe po analizon pamjet filmike për të identifikuar autorët e dyshuar.

Ndërkohë, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes, për shkak të së kaluarës së 39-vjeçarit, i cili ishte akuzuar për përfshirje në vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po punohet intensivisht për “zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes” dhe për sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ngjarja bëhet edhe më e rëndë pasi çifti lë pas katër fëmijë të mitur.

Lini një Përgjigje