Dhimbja dhe kërkesa për drejtësi dominojnë në familjen Goxhaj në Memaliaj, një javë pas vrasjes së 30-vjeçarit Endri Goxhaj. Prindërit e tij, të tronditur, rrëfejnë momentet e vështira dhe jetën e sakrificave që, sipas tyre, u shkatërrua brenda një dite.
Babai i tij, Astrit Goxhaj, invalid, tregon se ka bërë çdo sakrificë për të rritur të birin, duke punuar edhe në kushte të vështira.
“Kam mbledhur lule në mal që ta rrisja,” shprehet ai për "TCH", duke theksuar se çdo mund kishte një qëllim: “t’i siguroja një të ardhme më të mirë Endrit”. Sot, ai thotë se pas vrasjes së djalit “më është shkatërruar gjithçka” dhe kërkon që autorët të dalin para drejtësisë.
Edhe nëna e të riut, mes lotësh, kërkon zbardhjen e plotë të krimit. Ajo apelon që përgjegjësit të ndëshkohen, duke theksuar se “drejtësia është e vetmja që mund të më japë pak qetësi”. Sipas saj, i biri “ishte ndjekur përpara se të vritej”, një pretendim që pritet të verifikohet nga hetimet.
Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për familjen, pasi Endri kishte pak kohë që ishte fejuar. Jeta e tij u ndërpre në një moment kur po niste një kapitull i ri, duke lënë pas një dhimbje të thellë tek të afërmit.
Kujtojmë se, ditën e djeshme Gjykata e Gjirokastrës caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Aldo Kalemin dhe Dali Nelën, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj, ngjarje e ndodhur më 21 prill.
Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila pranoi kërkesën e prokurores së çështjes, Aulona Haxhiraj. Të dy shtetasit akuzohen për veprat penale “vrasje e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në seancë ishte i pranishëm Aldo Kalemi, ndërsa Dali Nela u përfaqësua nga avokati i tij, për shkak se vijon të jetë i shtruar në spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastër, pas plagosjes. Seanca u zhvillua me rreth 20 minuta vonesë për shkak të mungesës fillestare të gjyqtares dhe prokurores.
Sipas prokurorisë, ngjarja nisi si një konflikt mes disa personave dhe më pas është përshkallëzuar me përdorimin e armëve të zjarrit. Hetimet janë mbështetur edhe në pamje të sekuestruara, ndërsa në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, automjete, motomjete dhe telefona celularë, që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e çdo të përfshiri tjetër në ngjarje.
Lini një Përgjigje