
14-vjeçari Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Mecjas, pak metra nga rrethimi i shkollës “Fan Noli” në Tiranë, nëpërmjet avokatit ka këkruar zbutjen e masës së sigurisë.
Ai ka ankimuar në gjykatën e Apelit, ndërsa kërkon masë më të lehtë. Argumentet nuk janë bërë ende të ditura nga avokati i tij.
Në kuadër të hetimit, i mituri është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes në një seancë maratonë që ka zgjatur afro 8 orë. Detajet e dëshmisë që 14-vjeçari ka dhënë në ambientet e prokurorisë së Tiranës mbahet në sekret të plotë. Ndërsa mësohet se autori i dyshuar i krimit është ballafaquar me disa nga të miturit të cilët kanë qenë të pranishëm në ngjarje.
Prokuroria po vijon hetimet për të hedhur dritë mbi vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e mikut të tij, Luisit. Në vazhdën e këtyre hetimeve është bërë edhe ballafaqimi mes të plagosurit Luis Mecja dhe kushëririt të tij të parë, i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje.
Luis Mecja deklaron me bindje se në vendngjarje kishte një autor të dytë i cili i sulmoi me thikë, ndërsa kushëriri i tij ka dhënë versionin e tij për ngjarjen duke mos identifikuar asnjë të mitur tjetër që të ketë pasur thikë në vendngjarje.
Martin Cani u godit për vdekje me thikë pak minuta pasi kishte dalë nga shkolla dhe kishte patur përplasje me autorin e dyshuar, Mario Përlleshaj. Luis Mecja mbeti po ashtu i plagosur dhe pas 11 ditësh qëndrimi në spitalin e Traumës ai u largua për në shtëpinë e tij. Ditën e sotme mësohet se është transferuar në Itali për kurim me të specializuar.
Lini një Përgjigje