
Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 22-vjeçar në Dhërmi, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike dhe mbajtje pa leje të armëve sportive.
Sipas njoftimit zyrtar, efektivët e policisë ndaluan për kontroll një automjet në fshatin Dhërmi. Në drejtim të mjetit ishte shtetasi Justino Kurti, 22 vjeç, banues në këtë zonë.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti të riut disa doza kokaine të ndara dhe të gatshme për shitje. Ndërkohë, gjatë kontrollit në automjet u zbulua edhe një pistoletë sportive me municionin përkatës, e pajisur me silenciator.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Dozat e kokainës dhe arma e sekuestruar u morën në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.
"Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër shitjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të armëve.
Shiste doza Kokaine në Dhërmi, kapet në flagrancë me disa doza dhe me pistoletë sportive, në automjet, vihet në pranga 22-vjeçari.
Sekuestrohen dozat e Kokainës, gati për shitje, dhe pistoleta sportive me silenciator.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Shërbimet e Policisë ndaluan në fshatin Dhërmi, automjetin me drejtues shtetasin J. K.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit J. K. iu gjetën disa doza Kokaine, ndërsa gjatë kontrollit në automjet, u gjet një pistoletë sportive, me municionin përkatës dhe me silenciator.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi J. K., 22 vjeç, banues në Dhërmi, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje