Në seancën gjyqësore për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi, dëshmoi Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit, të dy të akuzuar nga SPAK për përfshirje në këtë krim.
Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, Abedini pranoi se kishte pasur konflikte me Selimin, duke pretenduar se viktima i bënte telefonata anonime bashkëshortes së tij në çdo orë të ditës dhe të natës.
Ai tregoi se për këtë situatë ishte bërë edhe një padi në gjykatë dhe më pas ishte arritur një marrëveshje që palët të mos kishin më përplasje.
“Atë ditë kam qenë në punë, pasdite kam ikur në Gjirokastër, kisha shtruar nënën në spital. Kishim të njëjtin aktivitet tregtar, shisnim materiale ndërtimi. Unë kam dy dyqane. Një punoj unë, një e punonte gruaja. Kam pasur konflikte me Çajupin se i bënte telefonata nuses time, anonime, në çdo orë të ditës apo të natës. Kemi pasur konflikte edhe me fjalë edhe nja dy herë është rrahur me djalin, Elisjanon. I binte telefonit, pa pushim, kisha dy vjet që e kisha marrë. I thamë mos i bjer telefonit. Vajtëm edhe në gjykatë, për këtë punë. I kishte bërë nusja padi. Kishte 5-6 muaj që kishin bërë marrëveshje me policinë që nuk do kishin konflikte”, rrëfen ai.
Sipas dëshmitarit, ai ishte i bindur se telefonatat vinin nga Çajup Selimi.
“Dua t’i bëj telefonatat, thoshte ai. Bashkëshortes i binte telefoni, në çdo orë të ditës. Ndonjëherë edhe jo anonime. I dërgonte mesazhe. E ngacmonte bashkëshorten. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej”, tregon dëshmitari.
Ahmet Abedini deklaroi gjithashtu se vëllai i tij nuk kishte qenë në dijeni të këtyre telefonatave. Ai tregoi edhe momentin kur mësoi për vrasjen e Selimit.
“Vëllai nuk ka qenë në dijeni të telefonatave që i bënte bashkëshortes. Asnjë nga vëllezërit nuk e dinte. Nga ora 12.00 i natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë ata hajde, i pyeta ata unë 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. I thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital. Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por e shoqëroja unë në spital se ai kishte bagëti, ishte çoban. Erisjano ishte në Tiranë, erdhi pas nja 3-4 ditësh. Atë natë e kërkoi policia, por pastaj folën me telefonin e nuses që Erisjano ishte në Tiranë. Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici”, tha dëshmitari.
1)Kur jepni nje lajm te tille shpjegoni edhe ngjarjen,Le te kete ndodhur pas ne kohe,duhet ta ritregoni qe njerezit ta dine per cfare behet fjale!2)nuk mund te Jap opinion sepse nuk e di fillimin e ngjarjes dhe fundin e saj