TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Mars 2026, 11:21

Shqiptari humbi jetën në aksident, familja apel për ndihmë për kthimin e trupit; si paraqitet gjendja e të plagosurve

Shkruar nga Pamfleti
Shqiptari humbi jetën në aksident, familja apel për ndihmë
Aksidenti ku humbi jetën shqiptari në Itali

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur tre ditë më parë në Siçili të Italisë ka lënë një të vdekur dhe gjashtë persona të plagosur. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 1 marsit, në autostradën Naro–Camastra, ku u përplasën një automjet dhe një kamion që transportonte fruta dhe perime.

Si pasojë e aksidentit humbi jetën Flori Topalli, 24 vjeç, emigrant shqiptar që jetonte në Itali. Familjarët e tij kanë bërë një apel publik për ndihmë financiare, me qëllim që trupi i pajetë të transportohet në Shqipëri për ceremoninë mortore.

Personat e plagosur janë gjithashtu shtetas shqiptarë. Gjendja më e rëndë paraqitet tek shoferi 39-vjeçar i automjetit ku udhëtonte viktima. Ai fillimisht u dërgua në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì dhe më pas u transferua në Villa Sofia Hospital në Palermo për trajtim më të specializuar. Mediat italiane raportojnë se mjekët mbeten të rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore.

Të plagosurit e tjerë po trajtohen në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas raportimeve, pesë punëtorët shqiptarë që udhëtonin në automjet jetonin në zonat Canicattì dhe Naro. Ata ishin të moshës nga 24 deri në 39 vjeç dhe kishin shkuar së fundmi në Itali, ku punonin në bujqësinë sezonale. Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të aksidentit.

 

shqiptari aksident familja apel per ndihme

Lini një Përgjigje