Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës në procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut, i konsideruar si rival i ish-kreut të “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare.
Gjatë seancës së kësaj të marte (4 mars) u mor në pyetje dëshmitari Elvis Shehu, i cili dha detaje lidhur me vrasjen e Çajup Selimit, një ngjarje e ndodhur pesë vite më parë dhe që sipas hetimeve lidhet me konfliktet mes grupeve rivale.
Laert Haxhiu, i arrestuar në Greqi dhe i ekstraduar drejt Shqipërisë dy vite më parë, përballet me akuza nga SPAK për organizimin, urdhërimin dhe financimin e një serie atentatesh ndër vite, kryesisht kundër kundërshtarëve të lidhur me grupin e Aldo Bares.
Në këtë dosje ka bashkëpunuar me drejtësinë edhe Artan Tafani, i cili ka dhënë dëshmi për një sërë krimesh, përfshirë vrasje, plagosje, gjobvënie dhe grabitje që sipas tij janë kryer gjatë më shumë se një dekade.
I pyetur nëse e njihte viktimën, dëshmitari Elvis Shehu u përgjigj se kishte njohje me të. Ai tregoi edhe për momentet para ngjarjes së rëndë.
“Ka ndodhur më 1 qershor 2021. Kam qenë më vëllain e tij. E kam marrë Çajupin te puna e tij. Kemi bërë shëtitje. Kam marrë xhaxhanë dhe një person tjetër dhe i çuam te puna. Kemi marrë rrugën drejt Kalasë. Më tha më ço te shtëpia. E kam lënë të rrugica e lagjes së tij”.", tha Shehu.
Shehu tha se për vrasjen e Selimit është njoftuar pak minuta më vonë nga policia.
“20 minuta më vonë më mori policia dhe më tha: Pyet se i ka ndodh diçka Çajupit!”.
I pyetur nga prokurorët nëse kishte dijeni për ndonjë konflikt që mund të kishte Selimi, ai u përgjigj: “Jo. Do e kishim dëgjuar nëse do kishte diçka”.
Ndërsa për pyetjen nëse viktima ishte shoqëruar ndonjëherë në polici, dëshmitari deklaroi: “Ndoshta në 1997, por atëherë kam qenë i vogël”.
Në fund, kur u pyet se si njihej Selimi në komunitet, Shehu u shpreh: “Njeri alegro. Biznesmen i njohur”.
Lini një Përgjigje