Endrit Sadedini u arrestua ditën e sotme në Vlorë në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger” pasi lëvizte i armatosur. Në një deklaratë për mediat, policia tha se 38-vjeçari u ndalua në lagjen “Pavarësia” pranë Lungomares dhe pas një kontrolli fizik iu gjet një armë pistoletë me karikator dhe municion luftarak.
Në momentin që ka parë policinë, ai ka tentuar që të largohej dhe iu ka drejtuar armën efektivëve, por nuk ka mundur të qëllojë apo largohet.
Sadedini nuk është emër i panjohur për policinë pasi rezulton me precedent penal të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit.
Kujtojmë se, Sadedinit i është vendosur lëndë plasëse në vitin 2021 në derën e garazhit të tij në lagjen “Pavarësia” ku edhe pësoi dëmtime në gjymtyrët e poshtme. Ndërkohë edhe në vitin 2019 i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.
Mësohet se shkak janë bërë konfliktet e tij të mëparshme dhe prishja e pazareve të drogës.
Lini një Përgjigje