
SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim çështjen ndaj kolumbianit Samir Rosales Rodriguez. Ai ishte pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të Komunës në Frakull të Fierit, Viktor Çervanakut.
Sipas SPAK, Samir Rosales Rodriguez akuzohet për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Grupi i Viktor Çervanakut, kishte krijuar një bazë lëndësh narkotike në Frakull të Fierit, nga ku merrte kokainën nga Kolumbia dhe më pas e transportonte atë nëpërmjet thasëve të plehut organik.
Viktor Çervanaku ka pasur postin e kryekomunarit të PS në Frakull e Madhe, ndërkohë që pjesë e grupit ishin vëllai i tij, djali dhe nusja e tij.
“Lënda narkotike e llojit kokainë ka qenë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në vendin e destinacionit, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike që mund të përfitohej nga ekstraktimi i ngarkesës së “plehut organik” artificial, në vlerën e saj maksimale llogaritet të ishte në sasinë 485.5 kg”, njoftoi SPAK asokohe.
Njoftimi i SPAK:
1. Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 20.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 141 i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit Samir Rosales Rodriguez”.
2. Në seancën e datës 19.02.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 6/22/122, datë 19.02.2025, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2. Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 141 i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit: Samir Rosales Rodrigues, i dtl. 01.01.1973, lindur dhe banues në ****, me shtetësi Kolumbiane, mbajtës i pasaportës me nr. ****, i hetuar me masë sigurimi personal “arrest në burg”, e pa ekzekutuar, e caktuar me vendimin nr. 91, dt. 24.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të K.Penal.
Mbrojtur në gjykim nga av. P.D, anëtare e Dhomës së Avokatisë Tiranë, mbrojtëse e caktuar kryesisht nga gjykata.
3. Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve paraprake dhe aktet e seancës paraprake.
4. Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për gjykimin e çështjes së themelit, brënda dhjetë ditëve nga shpallja e tij.
5. Mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata për të pandehurin Samir Rosales Rodrigues, av. P.D të shpërblehet sipas tarifave të miratuara me ligj.
6. Kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit.
Lini një Përgjigje