Një 29-vjeçar shqiptar, i cilësuar nga mediat britanike si “krimineli që nuk mund të deportohet”, ka festuar 10-vjetorin e qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, ndonëse ndaj tij janë lëshuar më herët urdhra deportimi.
Bëhet fjalë për Dorian Pukën, i cili u shfaq në rrjetet sociale duke organizuar një festë në zonën VIP të klubit të njohur londinez “Cirque le Soir”, një ambient i frekuentuar nga personazhe të njohur. Në pamjet e publikuara në Instagram, ai shihet mes shampanjës me vlerë mijëra paund, performancave argëtuese dhe një atmosfere luksoze.

Historia e Pukës në Britani nis më 17 shkurt 2015, kur u arrestua për vjedhje në një banesë në Twickenham, ndërsa pronari ndodhej me pushime jashtë vendit dhe e pa ngjarjen përmes kamerave të sigurisë. Ai u dënua me nëntë muaj burg dhe pranoi të largohej nga vendi pas lirimit.
"The Telegraph" shkruan se megjithatë, brenda një viti, ai arriti të rikthehej në Britani duke shmangur kontrollet kufitare. Sipas autoriteteve, ai u përfshi në një seri vjedhjesh në periferi të Londrës, derisa u arrestua nga oficerë civilë në Surbiton. Në momentin e ndalimit, mbante një orë të shtrenjtë që dyshohet se ishte e vjedhur. Puka u dënua me tre vite e gjysmë burg dhe u deportua në mars të 2020.
Rikthimi dhe kërkesa për azil
Pas kthimit në Shqipëri, ai udhëtoi në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, përpara se të hynte sërish në Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor 2020. Përballë një tjetër rreziku deportimi, ai paraqiti kërkesë për azil.
Që prej vitit 2023, Puka ndodhet nën masa mbikëqyrjeje të imigracionit dhe mban një pajisje elektronike, ndërsa pret vendimin përfundimtar të gjykatës për kërkesën e tij.
Gjatë kohës së burgimit, ai tërhoqi vëmendje pasi përdori një telefon të futur kontrabandë për të postuar foto në Instagram, përfshirë imazhe me të dënuar të tjerë për krim të organizuar.
Reagimi i autoriteteve
Ministria e Brendshme britanike ka deklaruar se aktualisht nuk mund të kryejë deportimin e tij derisa të përfundojë shqyrtimi i kërkesës për azil. Një zëdhënës theksoi se qeveria po ndërmerr reforma për të forcuar sistemin dhe për të rritur deportimet e kriminelëve të huaj, duke paralajmëruar se raste të tilla do të trajtohen me masa më të ashpra në të ardhmen.
Ndërkohë, rasti i Pukës ka nxitur debat në Britani mbi sistemin e azilit dhe procedurat e deportimit për personat me precedentë penalë.
Lini një Përgjigje