TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Maj 2023, 12:00

Tentoi të vrasë dy persona në Fier, shpallet në kërkim 22-vjeçari; zbardhet ngjarja

Shkruar nga Pamfleti
Tentoi të vrasë dy persona në Fier, shpallet në kërkim

Një 22-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Fierit, pasi akuzohet se ka tentuar të vrasë dy persona duke i goditur me automjet.

Në kërkim është shpallur shtetasi Pavli Dafa, banues në Patos. Ngjarja ka ndodhur që më datën 1 Maj, rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, por fillimisht u raportua si aksident rrugor.

Autoritet policore bëjnë me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se 22-vjeçari dhe babai i tij, shtetasi A. D., për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.

Pas konfliktit, dyshohet se Pavli Dafa ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se i riu ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër.

Policia njofton se vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe kërkimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", mbetur në tentativë, "Shkatërrimi i pronës" dhe "Vjedhja".

Lini një Përgjigje