
Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja ishte drejtuesi i një prej grupeve që u goditën me urdhër të SPAK, pasi kishin trafikuar 2.4 tonë marjuanë e kokainë drejt vende të Bashkimit Europian.
Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë për grupin Rraja, mes tyre djali i ish-deputetit të PS, Rexhep Rraja.
Raportohet se në burg janë lënë shtetasit:
-Islam Sefa
-Rexhep Rraja
-Përparim Rraja
-Gazmir Rraja
-Aldo Gjini
-Zamir Aliaj
-Jani Cavo
-Marvin Bushati
Ndërkohë, të arrestuarit Sokol Qaja dhe Agim Nina nuk kanë bërë ankimim.
Këta shtetas u zbuluan pas zbërthimeve të përgjimeve në aplikacionin SKY ECC dhe akuzohen për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 te 333/a si edhe neni 334/1 i Kodit Penal. Baza e këtij grupi kriminal ishte në Nikël.
Grupi hetimor ka arritur të zbardhë rolet dhe mënyrën se si funksiononin 3 prej grupeve kriminale, ku në krye të njërit qëndronte Rexhep Rraja i cili ishte porositësi dhe organizatori i trafikimit të 236 kg bimë narkotike marijuanë në Kapikile të Turqisë më datë 26 janar 2021.
Në dosjen e SPAK janë zbardhur të gjitha bisedat mes anëtarëve të grupit, përplasjet mes tyre pas sekuestrimit të drogës në doganë, deri tek dyshimet për tradhtarë mes radhëve të tyre. Anëtarë të grupit ishin edhe dy pjesëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja pronari i gurores në Borizanë për të cilën u dhunuan dy kushërinjtë Maja, si edhe Gazmir Rraja. Ndërkohë, anëtarët e tjerë ishin Bujar Sefa (alias Xaka) Agim Nina (alias Lorenc Selmani) Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që ka transportuar lëndën narkotike me kamion.
Agim Nina ishte personi që mbante kontakt të drejtpërdrejt me shoferin e kamionit, i cili vazhdimisht e informon Jani Çavon dhe më pas anëtarë të tjerë të grupit mbi vendndodhjen e shoferi, duke i dërguar me foto komunikimet që ka patur me shoferin në aplikacionin "WhatsApp", i cili e vë në dijeni për vendndodhjen, mjetet që kishte përpara në radhë në pikën kufitare Edirne-Kapikule, skanerin që do i bëhej kamionit dhe më pas për kontrollin fizik të mjetit, fakt për të cilin ndihej i shqetësuar.
Grupi kishte organizuar gjithçka në detaje për të trafikuar lëndën narkotike në Turqi përmes një kamioni, por në pikën e kalimit kufitar diçka nuk shkoi sipas planit. Kamioni me targa shqiptare, brenda së cilit ishte fshehur droga në pjesën e tavanit, kishte kaluar skanerin pa probleme, por Policia e Turqisë e kishte ndaluar kamionin prej mbrëmjes së 26 janarit dhe pritej t’i ushtrohej një kontroll i imtësishëm.
Pasi ngarkesa 236 kg kanabis u bllokua, grupi i Rrajës ngre dyshime për tradhti të mundshme nga shoferi, Elton Bogdani. Rexhep Rraja ka dyshime se informacione mund të kenë dhënë dhe të tjerë që kanë pasur pjesë në porosi, ndërsa shqetësimi rritet nëse janë fshirë gjurmët e gishtërinjve nga qeset me të cilët është paketuar kanabisi. Në bisedat, Rraja thotë se në ato qese janë shenjat e gishtërinjve të xhaxhait të tij.
Në dosjen e SPAK, përveç Rexhep Rrajës, zbulohet se pseudonime kanë edhe të tjerët. Bujar Sefaj njihej si “Venecia”, Përparim Rraja si “Caca”, Sokol Qaja njihej si “Hermano”, ndërsa Gazmir Rraja si “Miri” ose “ÇOKU”.
Më 10 dhjetor, SPAK lëshoi 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuara, 7 të arrestuar po atë ditë dhe 3 të tjerë më herët për procedime të tjera ndërsa 4 u shpallën në kërkim. Gjatë kontrolleve në 12 banesa dhe ambiente të tjera, u sekuestruan 430 mijë euro, 1 armë zjarri dhe sende të tjera.
Lini një Përgjigje