TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Qershor 2024, 17:55

Skandal te Ministria e Arsimit/ Zyrtarja e lartë skemë mashtrimi me bursat e studimit në SHBA, fundoset nga ambasada amerikane

Shkruar nga Pamfleti

Skandal te Ministria e Arsimit/ Zyrtarja e lartë skemë mashtrimi me

Sipas informacioneve, ambasada ka zbuluar skemën dhe autorët, e më pas ka njoftuar Policinë e Shtetit e cila ka vepruar në terren për arrestimin e personave të përfshirë.

Janë zbardhur detaje të reja nga skema e mashtrimit me bursat e studimit dhe vizat për SHBA. Pas alarmit të ngritur nga Ambasada amerikane në Tiranë, polica ka bërë të mundur arrestimin e dy grave të cilat kishin krijuar projektin “Let’s Talk Together About US24.”, me të cilin mashtronin qytetarë dhe studentë të ndryshëm duke falsifikuar dokumentet.

Skandali thellohet më tej pasi, njëra nga gratë e arrestuara mësohet së është pjesë e sistemit të arsimit, më saktë, zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.

Gjithashtu thuhet se hetimi po vazhdon ende, pasi dyshohet se mund të ketë dhe persona të tjerë të përfshirë në skemën e mashtrimit.

Projekti i krijuar shitej sikur ishte pjesë e projekteve të Ambasadës amerikane në Tiranë për të qenë më i besueshëm. Sipas informacioneve, ambasada ka zbuluar skemën dhe autorët, e më pas ka njoftuar Policinë e Shtetit e cila ka vepruar në terren për arrestimin e personave të përfshirë.

“Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetime të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për zbulimin dhe goditjen e një skeme mashtrimi për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për studime në SHBA.  

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.  

Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”

Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi”, njofton policia.

Kujtojmë se më herët, Ambasada amerikane ju bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga skemat mashtruese, që premtojnë viza amerikane me çmim të lirë dhe në mënyrë të shpejtë.

Ajo gjithashtu kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo rast mashtrimi që lidhet me ambasadën.

Ambasada e SHBA në Tiranë është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.

U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën”, njoftoi më herët Ambasada.

Lini një Përgjigje