Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili është marrë i pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.
Në të njëjtin proces penal përfshihen edhe Jonid Kazani, Edlira Mitrushi dhe Yllka Nishku, si dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Rudin Gjoni, Premtim Dauti dhe Adela Ruko. Të gjithë janë njohur me vendimin e gjyqtares Marinela Osmani për dërgimin e çështjes në gjykim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), hetimet lidhen me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Organi i akuzës pretendon se gjatë këtij tenderi është cenuar barazia mes operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.
Hetimi është regjistruar kryesisht mbi bazën e referimeve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit.
Një pjesë e të pandehurve, përfshirë edhe Benet Becin, kanë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar. Vendimmarrja mbi këtë kërkesë pritet të merret nga një tjetër trup gjykues i Gjykatës së Posaçme.
Si në çdo proces penal, personat e marrë të pandehur konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.
Lini një Përgjigje