
Policia ka goditur një rrjet prostitucioni në Durrës pas një operacioni dyjavor, duke vënë nën hetim 11 persona dhe duke shpallur në kërkim dy shtetase nga Brazili.
Veprimtaria dyshohet se zhvillohej në një ambient të marrë me qira në lagjen nr. 13 si dhe në një hotel në qytet.
Gjatë operacionit u identifikuan edhe dy gra nga Brazili, një 33-vjeçare e kapur në hotel dhe një 27-vjeçare e gjetur në apartament, të dyshuara për ushtrim prostitucioni.
Në kërkim janë shpallur edhe dy shtetase të tjera nga Brazili. Njëra, 30 vjeçe, dyshohet se kishte marrë me qira ambientin, ndërsa tjetra, 38 vjeçe, dyshohet se kishte ushtruar më herët këtë aktivitet në të njëjtin vend.
Në hetim është përfshirë edhe administratori 45-vjeçar i hotelit, i dyshuar për fshehje të të ardhurave.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi para të dyshuara si përfitim nga kjo veprimtari, 10 telefona celularë dhe pasaporta. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
"Finalizohet, pas 2 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Storm 16”. Zbulohet në lagjen nr. 13, Durrës, një ambient i marrë me qira për të ushtruar prostitucion. Procedohen penalisht 2 shtetase braziliane që ushtronin prostitucion në këtë ambient dhe në një hotel. Procedohet penalisht, për fshehje të të ardhurave, administratori i hotelit ku u kap njëra nga shtetaset braziliane.
Shpallen në kërkim dy shtetase, njëra që kishte marrë me qira ambientin ku ushtrohej prostitucioni dhe tjetra që dyshohet se e ka ushtruar këtë veprimtari më parë, në këtë ambient. Procedohen penalisht edhe 8 shtetas. Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, 10 celularë dhe pasaporta. Si rezultat i hetimeve intensive me metoda proaktive, të kryera gjatë 2 javëve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, u finalizua operacioni i koduar “Storm 16”.
Në vijim të veprimeve procedurale, në kuadër të operacionit, u proceduan penalisht dy shtetase braziliane: L. C., 33 vjeçe, e cila u kap në hotel, dhe V. B., 27 vjeçe, e cila u kap në ambientin e marrë me qira, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion. Gjithashtu, u proceduan penalisht edhe 8 shtetas të tjerë, banues në Vlorë, Durrës dhe Divjakë. Po në kuadër të operacionit, u shpallën në kërkim shtetaset braziliane G. S., 30 vjeçe, banuese në Brazil, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, dhe M. R., 38 vjeçe, banuese në Brazil, për veprën penale “Prostitucioni”. Gjithashtu, nisi procedimi për shtetasin K. P., 45 vjeç, banues në Durrës, administrator i hotelit, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje