Nga hetimet e SPAK personat e përfshirë në dosje, që do të ulen në të njëjtin kafaz, në kohë të ndryshme kanë tentuar të vrasin njëri-tjetrin, ose të bashkëpunojnë me persona të 3-të, kundër atyre që do të kenë në krah, teksa gjykohen...
GJKKO vendosi paraditen e sotme të kalojë për gjykim dosjen me 7 të pandehur, pjesë e asaj që njihet tashmë si ‘Revanshi’ ku përfshihen emra të njohur të botës së krimit, por edhe zyrtarë të Policisë. Dosja që kaloi sot për gjykim është një fraksion i dosjes së madhe “Revanshi”, pasi për rreth 20 persona që janë në kërkim dhe nuk janë arrestuar ende, ka një tjetër fraksion.
Pjesë e dosjes që kalon për gjykim janë Durim Bami, Aldo Avdyli, Jozi Kraja, Altin Morina, Marklen Haka, Enerigert Mitri dhe Edson Jozëik. Nga hetimet e SPAK personat e përfshirë në dosje, që do të ulen në të njëjtin kafaz, në kohë të ndryshme kanë tentuar të vrasin njëri-tjetrin, ose të bashkëpunojnë me persona të 3-të, kundër atyre që do të kenë në krah, teksa gjykohen.
Referuar dosjes së SPAK, Durim Bami akuzohet se për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Ai u ekstradua pak javë më parë nga Dubai, ku strehohej prej vitesh. SPAK e akuzon Bamin se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin Bamin të vdekur.
Sipas SPAK, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit. Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin.
Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.
Marklen Haka, një tjetër emër që përfshihet në dosjen që kaloi për gjykim, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje”.
Aldo Avdyli, akuzohet nga SPAK për “sigurim të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj Durim Bamit, një vrasje e mbetur në tentativë. Ndaj tij rëndojnë akuza edhe për pjesëmarrje në grup kriminal.
Jozi Kraja, sipas SPAK, akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.
Ai akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. Jozi Kraja dyshohet se për një periudhë 4-vjeçare, gjatë periudhës dhjetor 2020-maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e 2 vëllezërve.
Henerigert Mitri, ka mbajtur funksionet e shefit të Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, në Policinë e Shtetit, kur është arrestuar me urdhër të SPAK, si pjesë e dosjes ‘Revanshi”. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.
Një tjetër emër është Edson Jozwik, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë periudhës qershor–nëntor 2020, dyshohet se ka trafikuar rreth 160 kg cannabis sativa nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Ai akuzohet nga SPAK për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Lini një Përgjigje