
Gjykata e Tiranës ka vendosur masat e sigurisë për personat e dyshuar të përfshirë në shpërthimin me tritol ndaj automjetit të Oltian Klosit, ngjarje e ndodhur më 10 mars në kryeqytet.
Sipas vendimit të gjykatës, masa “arrest në burg” është caktuar për Sabah Nuzin, i dyshuar si porositës i atentatit. Në të njëjtën masë janë lënë edhe Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti.
Ndërkohë, për Glentjan Kojtarin dhe Dorjan Hamollin është vendosur masa “arrest shtëpie”, ndërsa për Geris Mollën është caktuar “detyrim paraqitjeje”.
Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi dyshohet se është realizuar me telekomandë, pasi në automjet ishte vendosur një sasi lënde plasëse. Prokuroria dyshon se ngjarja lidhet me një konflikt të mundshëm për pazare droge mes Sabah Nuzit dhe pronarit të mjetit, ku një shumë e pakthyer parash dyshohet të ketë çuar në organizimin e sulmit.
Nga hetimet rezulton se Jurgen Gjonaj dyshohet të ketë vendosur lëndën plasëse në automjet, ndërsa personat e tjerë kanë kontribuar në forma të ndryshme, përfshirë sigurimin e informacionit mbi lëvizjet e mjetit, furnizimin me eksploziv dhe largimin nga vendi i ngjarjes.
Nga ana e tij, Sabah Nuzi i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se pretendimet ndaj tij janë të pabazuara.
Lini një Përgjigje