TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Mars 2026, 13:05

“Plumbi i artë”, dëshmia e Ilirjan Feçit zbardh skemën e grabitjes së Bajraktarit; roli i Talo Çelës dhe Dumanit

Shkruar nga Pamfleti
“Plumbi i artë”, dëshmia e Ilirjan Feçit zbardh
Ilirian Feçi

Sipas dëshmisë së tij, grabitja është kryer nga tre persona: ai vetë, Talo Çela dhe Dashnor Dumani, ndërsa ka mohuar përfshirjen e Gentian Sharrës.

Ilirian Feçi ka dëshmuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme lidhur me grabitjen me dhunë të Lirak Bajraktarit, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2011 në Elbasan, duke dhënë detaje mbi autorët dhe mënyrën e kryerjes së saj.

Sipas dëshmisë së tij, grabitja është kryer nga tre persona: ai vetë, Talo Çela dhe Dashnor Dumani, ndërsa ka mohuar përfshirjen e Gentian Sharrës.

“Kemi qenë tre persona, Talo Çela, Dashnor Dumani dhe unë. Talo kishte makinën. Na ka kapur një kamerë banke dhe një shtëpie private. As unë dhe as Talo nuk kemi qenë të armatosur, ndërsa Dashnori kishte vetëm një levë”, deklaroi Feçi.

Ai shpjegoi se lëvizjet e viktimës i kishte mësuar përmes një lidhjeje personale, pasi ish-e fejuara e tij kishte pasur marrëdhënie tregtare me Bajraktarin, duke i shitur bizhuteri.

Në vijim, Feçi përshkroi edhe dinamikën e ngjarjes, duke treguar itinerarin dhe mënyrën e realizimit të grabitjes.

“U nisa nga shtëpia ime, mora Dashnorin tek Nish-Tulla dhe më pas shkuam në Elbasan, ku morëm Talon. Shkuam tek shtëpia e Lirak Bajraktarit dhe vodhëm një çantë me bizhuteri e flori. E gjithë ngjarja duket në kamerat e shtëpisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, gjatë grabitjes ka pasur një përplasje të shkurtër me viktimën, ndërsa më pas autorët janë larguar drejt banesës së Talo Çelës.

“U konfliktua pak me Dashnorin. I morëm çantën dhe u larguam drejt shtëpisë së Talos. Kishte flori, varëse, medalione dhe ora. Pasi i shitëm në Tiranë, i ndamë në tre pjesë”, deklaroi Feçi.

Ai shtoi se sendet e vjedhura janë shitur në Tiranë dhe fitimet janë ndarë mes tre autorëve.

Në dëshminë e tij, Feçi foli edhe për njohjen me Nuredin Dumanin, duke theksuar se e njihte përmes një kushëriri dhe kishte dijeni për banesën e tij në Kavajë, si dhe për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme në të kaluarën.

Sa i përket Gentian Sharrës, Feçi theksoi se e njihte vetëm për arsye biznesi dhe mohoi çdo përfshirje të tij në këtë grabitje.

“Gentian Sharra nuk ka qenë në vjedhjen e Bajraktarit. Ai ka qenë shumë mirë financiarisht. Unë shkova aty vetëm për të marrë paratë e mia mbrapsht”, u shpreh Feçi.

Në përfundim të dëshmisë, ai i bëri thirrje prokurorisë që të verifikojë pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë për të sqaruar plotësisht ngjarjen.

Lini një Përgjigje