Policia ka arritur të identifikojë autorin i cili rrahu ditën e djeshme brutalisht 42-vjeçarin Rigels Kaso, duke e lënë në mes të rrugës pa ndjenja.
Autoritet njoftojnë se autori është 34-vjeçari, Bajram Gjeleshi me origjinë nga Peshkopia por banues në Tiranë. Policia mësohet se ka nisur kërkimet për kapjen e tij.
Kujtojmë se 42-vjeçari, Rigels Kaso u gjet nga qytetarët pa ndjenja në rrugën ‘Sokrat Miho’, dhe njoftuan menjëherë policinë rreth orës 06:35. Pas kësaj 42-vjeçari është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ku sipas raportimeve gjendja shëndetësore e tij ka qenë e rënduar dhe është futur në intubim.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, më datë 15.07.2024, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhe po punojnë për kapjen e shtetasit B. Gj., 34 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë.
Shtetasi B. Gj., ditën e djeshme, më datë 15.07.2024, në rrugën “Sokrat Miho”, dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin R. K., 42 vjeç, banues në Bilisht, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.
Lini një Përgjigje