TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Maj 2024, 15:56

Prokuroria “godet” sërish Saimir Taullaun, i sekuestron 6 prona të tjera të vëna nga trafiku i drogës

Shkruar nga Pamfleti
Prokuroria “godet” sërish Saimir Taullaun, i sekuestron 6 prona
Saimir Taullau

Biznesmenit nga Lushnja, në 2018 iu bë atentat me armë zjarri tek rrethrrotullimi i Plugut në Lushnjë.

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar të tjera pasuri të biznesmenit Saimir Taullau.

Mësohet se atij i janë sekuestruar 3 apartamente, 2 ara dhe një truall. Prokuroria dyshon se pasuria është vënë nga aktivitetet e trafikut të drogës.

Mbi bazën e ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar dhe po kryen hetime për procedimin pasuror penal nr.1, viti 2024, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit S.T, si dhe të afërmve të tij dhe personat fizikë, konkretisht shtetasve A.T., F. T, M.T., E.T., V.T. dhe K.T, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë e tyre zotërohen në mënyrë të tërthortë nga shtetasi S.T. Dyshohet se këto pasuri e kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit S.T., konkretisht nga veprat penale të parashikuar nga nenet 283 dhe 283/a të Kodit Penal”, njofton prokuroria.

Pronat e sekuestruara janë:

-Pasuria nr. 1/527, ZK 8572, vol. 25, fq. 96, ndodhur në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnje, e llojit “truall”;

-Pasuria nr. 104/44, ZK 3268, vol 2, fq, 182, ndodhur në Savër, Lushnje, e llojit “arë”, me sipërfaqe 15,323 m2;

-Pasuria nr. 857/28, ZK 2087, vol. 8, fq. 193, ndodhur në Karbunarë e Poshtme, Lushnje, lloji “arë”;

-Pasuria nr. 151/2+1-10, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji “apartament”, me sipërfaqe 128 m2;

-Pasuria nr. 102/22-16, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji apartament me sipërfaqe 96.17 m2; dhe

-Pasuria nr. 104/81+2-21, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji “apartament”, me sipërfaqe 105.57 m2.

Kush është biznesmeni nga Lushnja, Saimir Taullau?

Biznesmenit nga Lushnja, në 2018 iu bë atentat me armë zjarri tek rrethrrotullimi i Plugut në Lushnjë. Ai u qëllua me automatik para lokalit të tij nga disa persona me motor dhe të maskuar. Plumbat prekën vetëm xhamin e lokalit, ndërsa Taullu mbeti i plagosur lehtë.

54-vjeçari është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë.

Saimir Taullau, për shumë njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali. Ndërsa në Lushnje familja Taullau njihet si rivale e bandës së Aldo Bares.

Në vitin 2005, Baki Taullau u vra ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij kur ka dëshmuar, ka akuzuar si autorë të vrasjes pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.

Konflikti dyshohet se ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen deri në vlerën 500 mijë euro duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.

Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar edhe më herët disa prona të patundshme të shtetasit Saimir Taullau dhe 6 të afërmve të tij, pasi dyshohet se janë pasuri të cilat rrjedhin nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike.

Njoftohet se janë sekuestruar disa trualle, objekte biznesesh, banesa, karburante dhe disa bodrume. Të gjitha këto pasuri të cilat janë në pronësi Saimir Taullau dhe të afërmëve të tij.

Lini një Përgjigje