Prej 20 ditësh vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se ka përfunduar në përroin e Darsit, në territorin e Bashkisë Klos.
Pavarësisht kërkimeve intensive që kanë zgjatur prej 20 ditësh, deri në këto momente nuk ka asnjë gjurmë apo rezultat konkret.
Në operacionin e kërkimit kanë marrë pjesë forca të shumta, përfshirë ushtrinë, forcat “Shqiponja”, shërbimet zjarrfikëse të Matit dhe Klosit, punonjës të Bashkisë Klos, si dhe banorë të zonës dhe familjarë të të riut.
Ndërkohë, sot me urdhër të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të mbërrijë një ekip i specializuar nga Kosova për kryerjen e kërkimeve nënujore, në shpresë të zbardhjes së fatit të 30-vjeçarit.
Mbrëmjen e djeshme Presidentja Osmani, si komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të Kosovës ka autorizuar një ekip të specializuar për kërkime nënujore të FSK, për t’u dislokuar në Klos të qarkut të Dibrës ,për të ndihmuar përpjekjet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit.
Osmani ka bërë një punë intensive për bashkë koordinimin mes dy vendeve dhe dërgimin e kësaj force speciale të FSK drejt Klosit.
Mësohet se pajisjet speciale që do të përdoren nga ekipet e kërkimit do të jenë Skaner për ujëra, EDGE TECH 5201, Droni nënujor DEEP Trekker DTG 3 ROV.
Si ndodhi ngjarja?

Automjeti tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga më 10 Janar dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars rreth orës 01:30. Drejtuesi i mjetit, shtetasi Andi Losha, 24 vjeç, dyshohet se u largua nga vendngjarja pa njoftuar Policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit.
Policia e identifikoi, e arrestoi 24-vjeçarin dhe nga testi i alkoolit rezultoi se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Ndërsa pasagjeri, Jurgen Karaj është marrë nga rrjedha e përroit.
Lini një Përgjigje