Ekzekutim mafioz dhe miliona euro droge: çfarë zbuluan autoritetet italiane për grupin shqiptar…
Autoritetet dhe mediat italiane kanë zbardhur një panoramë të rëndë kriminale pas megaoperacionit të zhvilluar sot në Itali, Shqipëri dhe Spanjë, ku në qendër të hetimeve është vrasja mafioze e 26-vjeçarit italian Francesco Diviesti, trafiku ndërkombëtar i drogës dhe një rrjet i strukturuar pastrimi parash me bazë në Tiranë.
Operacioni u koordinua nga Drejtoria Antimafia e Barit (DDA), DIA e Barit dhe policia italiane, me mbështetjen e Eurojust. Në total u ekzekutuan 15 masa sigurie ndaj 11 shtetasve shqiptarë dhe 4 italianëve, të akuzuar për vrasje me paramendim me metodë mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, favorizim të autorëve dhe pastrim ndërkombëtar parash.
Sipas hetuesve italianë, organizata kriminale shqiptare kishte ngritur prej kohësh një sistem të konsoliduar për kontrollin e trafikut të drogës në Puglia dhe transferimin e fitimeve drejt Shqipërisë.
Ekzekutimi mafioz në guroret e Alta Murgias
Sipas rikonstruksionit të prokurorisë antimafia, gjithçka nisi mbrëmjen e 25 prillit 2025 në një lokal në Barletta, ku Francesco Diviesti u përfshi në një konflikt fizik.
Pas sherrit, 26-vjeçari u mor dhe u dërgua në një zonë të izoluar me shpella dhe gurore në Alta Murgia, pranë Canosa di Puglia.
Aty, sipas hetimeve, ai u detyrua të gjunjëzohej dhe u ekzekutua me pesë plumba të qëlluar nga dy armë të ndryshme në distancë të afërt.
Më pas, autorët e hodhën trupin mes disa gomave makinash dhe i vunë flakën për të zhdukur gjurmët.
Mediat italiane shkruajnë se mënyra e ekzekutimit ka rikthyer në kujtesë metodat mafioze të viteve ’90 në Puglia, ndërsa disa hetues kanë përmendur edhe referenca me kodin e “Kanunit”, të përdorur sipas tyre nga grupet kriminale shqiptare si formë hakmarrjeje dhe imponimi të autoritetit.
Prokurorja Daniela Chimienti deklaroi gjatë konferencës për shtyp se vrasja kishte për qëllim të afirmonte pushtetin e organizatës kriminale.
“Jeta e një personi nuk vlente asgjë përballë nevojës për të imponuar pushtetin e grupit kriminal. Të vije në dyshim fjalën e shefit do të thoshte të sfidoje autoritetin e tij”, deklaroi ajo.
Dyshimet: drogë, zhvatje dhe kontroll territorial
Sipas DDA-së së Barit, vrasja e Diviestit lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e trafikut të drogës në Barletta.
Hetuesit dyshojnë se shtetasi shqiptar i arrestuar, i konsideruar autori material i ekzekutimit, veproi për të forcuar “supremacinë kriminale” të grupit në qytet.
Sipas dosjes hetimore, viktima ishte gjithashtu objekt i një tentative zhvatjeje, ndërsa konflikti dyshohet se kishte lindur për një borxh të vogël ose për një “mungesë respekti” ndaj drejtuesit të organizatës.

Dy italianë nga Barletta, një burrë dhe një grua, akuzohen se ndihmuan në fshehjen e provave dhe nuk raportuan informacionet që kishin për krimin.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se organizata përdorte armë në mënyrë të rregullt. Në kuadër të hetimit u sekuestrua një pistoletë që, sipas autoriteteve, ishte përdorur gjatë një “stërvitjeje me zjarr” në fshat, ku u qëlluan 25 plumba.
Arratisja në Hungari dhe arrestimi me 24 kilogramë kokainë
Trupi i Diviestit u gjet katër ditë pas zhdukjes së tij. Ndërkohë, i dyshuari kryesor shqiptar ishte zhdukur vetëm dy ditë pas vrasjes.
Ai u lokalizua më 25 qershor 2025 në qytetin Roshe të Hungarisë, ku u arrestua jo për vrasjen, por për posedimin e 24 kilogramëve kokainë të pastër në kuadër të një tjetër hetimi të Prokurorisë së Tranit.
Sipas mediave italiane, elementët e mbledhur nga DDA e Barit ndihmuan autoritetet të ndërhynin dhe ta ndalonin. Në të njëjtën kohë, gjatë kontrolleve në Itali, policia sekuestroi mbi 412 mijë euro cash te familjarët e të arrestuarit.
Rrjeti i pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë
Hetimi zbuloi gjithashtu një organizatë të strukturuar me bazë në Tiranë, e specializuar në transferimin e parave të drogës nga Italia drejt Shqipërisë.
Sipas DIA-s së Barit, grupi garantonte një fluks të vazhdueshëm të parave cash që vinin nga shitja me shumicë e lëndëve narkotike në Itali.
Një nga episodet kyçe të hetimit ishte sekuestrimi i 680 mijë eurove më 14 nëntor 2024 në pikën kufitare të Muriqanit, mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Operacioni u realizua pas informacioneve të siguruara nga DIA e Barit. Në total, autoritetet italiane raportojnë se janë sekuestruar mbi 1.1 milion euro.

Mes personave të përfshirë në hetim janë familjarë të afërt të të dyshuarit kryesor, pronari dhe dy punonjës të një kompanie transporti, si dhe një trafikant ndërkombëtar droge që konsiderohet në krye të organizatës dhe aktualisht është në arrati.
Operacion ndërkombëtar dhe hetime prej vitesh
Operacioni i sotëm konsiderohet vazhdim i hetimeve të mëdha antimafia “Shefi”, “Kulmi”, “Shpirti” dhe “Ura”, të zhvilluara nga autoritetet italiane mes viteve 2018 dhe 2025 kundër trafikut ndërkombëtar të drogës të menaxhuar nga organizata shqiptare.
Sipas prokurorisë së Barit, këto hetime kanë çuar deri tani në:
-170 masa sigurie;
-sekuestrimin e pasurive me vlerë miliona euro;
-zbulimin e mbi shtatë tonëve drogë, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë;
-si dhe dënime deri në 20 vite burg për pjesëtarët e organizatave kriminale.
Operacioni i sotëm u zhvillua me mbështetjen e karabinierëve italianë, Guardia di Finanza dhe njësive speciale me qen antidrogë dhe “cash dog”, të trajnuar për zbulimin e parave cash.
Gjykata e Barit ka pranuar plotësisht kërkesën e prokurorisë antimafia, duke njohur agravanten e paramendimit dhe metodës mafioze në vrasjen e Diviestit.
Ndërkohë, tre shtetas italianë të tjerë vijojnë të hetohen në gjendje të lirë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje