Kastriot Cenko ka rrëfyer në gjykatën greke detaje nga krimi në familje që ndodhi dy vite më parë në Ampelokipi, ku vrau bashkëshorten e tij, Alba Cenko, nënë e dy fëmijëve të mitur.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024, kur 42-vjeçari goditi me çekiç bashkëshorten brenda apartamentit të tyre, ndërsa dy fëmijët ishin duke fjetur. Pas krimit, ai fshehu trupin fillimisht në dollap dhe më pas në papafingon e banesës.
Në dëshminë e tij para gjykatës, Cenko tha se marrëdhënia mes tyre kishte probleme prej kohësh dhe se konflikti fatal nisi pasi bashkëshortja i tha se do të largohej duke marrë edhe fëmijët.
“Ajo më tha më parë se po largohej dhe po merrte fëmijët me vete. Më tha se i vogli nuk ishte fëmija im. Në atë moment u hutova. E gjithë jeta ime ishin fëmijët e mi… Bëra CPR, por pa sukses”, u shpreh Cenko.
I pyetur nga gjyqtari nëse kishte menduar divorcin, ai u përgjigj: “Jo. Nuk kam dashur kurrë që fëmijët e mi ta përjetojnë ndarjen. I kisha thënë: ‘Mund të bësh çfarë të duash. Dashuria ime për ty nuk do të ndryshojë. E kisha pranuar…’”.
42-vjeçari tregoi edhe momentet pas vrasjes dhe mënyrën si fshehu trupin e gruas.
“Mora një qese dhe e vura në kokë që të mos linte shenjë, që fëmijët të mos trembeshin nga gjaku. Mora jorganin dhe një çarçaf dhe e mbështolla… E futa në dollap dhe shkova të përgatisja mëngjesin për fëmijët. E vura në dollap. U ngrita në mëngjes, i çova fëmijët në shkollë. Nuk ndihesha mirë… Po përpiqesha të gjeja guximin t’u shpjegoja fëmijëve, të shihnin se çfarë do të bëja…", dëshmoi Cenko.
Ai shpjegoi gjithashtu arsyen pse e zhvendosi trupin në papafingo. “Nuk isha normal. E vura në papafingo. Nuk mbaj mend… nëse doja të zhdukesha, mundesha. Por kurrë nuk mendova ta fshihja… Por ku do ta lija trupin? Në dollap që fëmijët ta hapnin dhe t’i trembnin? Ishte një apartament i vogël…”.
Në gjykatë, Cenko pretendoi gjithashtu se bashkëshortja kishte një lidhje jashtëmartesore me një mik të tij të fëmijërisë, por këmbënguli se vazhdonte ta donte dhe nuk donte ndarjen.
Sipas mediave greke, ai njoftoi policinë rreth një javë pas krimit. Nëna e 32-vjeçares dëshmoi se gjatë kësaj kohe familjarët kishin marrë mesazhe nga telefoni i Albës, të dërguara nga vetë autori, për t’i bindur se ajo ishte ende gjallë.
Lini një Përgjigje