
Një efektiv i forcave “Shqiponja” në Durrës është arrestuar nga AMP, pasi përplasi disa makina të parkuara, nën dyshimin se ishte i dehur dhe kundërshtoi kolegët e Rrugores për t’iu nënshtruar testit të alkoolit.
Sipas AMP, ditën e sotme u arrestua punonjësi i policisë Inspektor A. B., me detyrë Trupë Shërbimi i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Durrës.
“Arrestimi i tij u bë i mundur pasi ditën e sotme rreth orës 05:40, duke drejtuar automjetin tip “Audi” në rrugën “Egnatia”, ka humbur kontrollin dhe si pasojë ka përplasur disa automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale. Në zbatim të procedurës standarde i është kërkuar të bëjë testin e alkoolit, por punonjësi ka refuzuar. Në këto kushte i është marrë monstër gjaku në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës", njoftoi AMP.
Lini një Përgjigje