
Avokati Radovan Çela, ndaj të cilit GJKKO kishte caktuar masën “arrest me burg” është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës pasditen e së mërkurës.
Ndaj Çelës ishte vendosur kjo masë sigurie në mungesë, në kuadrin e hetimeve që ka kryer SPAK, ku u arrestua prokurori i Vlorës, Aurel Zarka.
Radovan Çela ka qenë avokat i Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja ‘Toyota Yaris’. Çela dyshohet se ka tentuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme te zyrtarët e drejtësisë (korrupsion) në 5 raste.
"Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal si edhe nga burimet e provave të mbledhura dhe të administruara gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se të pandehurit; Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre", njoftonte SPAK në korrik 2024.
Sipas SPAK, avokati Çela dhe prokurori Zarka kanë ndërhyrë edhe për çështjen e Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.
SPAK dorëzoi më 30 dhjetor 2024 dosjen penale ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladi. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndërhyrë në 8 dosje duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë për të lehtësuar rrethanat. Mes dosjeve që kanë ndërhyrë është dhe ajo e Toyota Yaris dhe e Suel Çelës.
SPAK i akuzon të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndërhyrë në 8 dosje, duke kërkuar dhe pranuar ryshfet. Kanë ndërhyrë për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, në lidhje me 3.4 milion eurot që u bllokua në Portin e Durrësit, në qershor 2018, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit. Po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.
Gjithashtu dyshohet se kanë ndërhyrë në çështjen penale në ngarkim të shtetases Xhoi Mansaku, e akuzuar për veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë dhe mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669 datë 26.03.2020 të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë si dhe një cështje në ngarkim të Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”
Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, i pandehuri Aurel Zarka ka qënë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qënë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi, njoftonte SPAK.
Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky ECC, që u vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për çështjet.
Lini një Përgjigje