TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Mars 2025, 12:05

Përplasi një person me makinë dhe u largua, arrestohet punonjësi i Policisë

Shkruar nga Pamfleti

Përplasi një person me makinë dhe u largua, arrestohet

Një polic patrulle e komisariatit të Korçës është ndaluar nga AMP pasi është autori i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e 3 marsit 2025 në aksin Hoçisht - Bilisht.

Policia e Korçës njoftoi dje për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor "Bilisht-Hoçisht" ku një makinë kishte përplasur këmbësorin 28 vjeçar duke u larguar dhe lënë të riun të plagosur në mes të rrugës.

Ndërkohë, ditën e sotme AMP njofton se është ndaluar me iniciativë Inspektori Jurgen Rushitaj, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë pasi ai ka qenë shoferi i makinës që bëri aksidentin.

Si pasojë e aksidentit, i lënduari është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë, i dyshuar për veprat penale “Mosdhënia ndihmë” , “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndalimi i tij u bë pasi me datë 03/03/2025 duke drejtuar mjetin e tij në aksin Hoçisht – Bilisht, është përfshirë në një aksident rrugor me pasojë plagosjen e shtetasit D. GJ., dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmë të aksidentuarit dhe duke mos njoftuar organet e rendit.

Si pasojë e aksidentit shtetasi D. GJ., është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected]", njofton AMP.

Lini një Përgjigje