TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Korrik 2023, 13:23

Një vit nga ekzekutimi i Brilant Martinajt, autoritetet letërporosi Sllovenisë: Kujt i përket makina që vëzhgoi 3 viktimat?

Shkruar nga Pamfleti

Një vit nga ekzekutimi i Brilant Martinajt, autoritetet letërporosi

Teksa ka kaluar pothuajse një vit nga atentati në Fushë-Krujë ku mbetën të vrarë kushëriri i Ervis Martinajt së bashku me dy miqtë e tij, detaje të reja dalin në dritë në lidhje e ngjarjen e rëndë.

Një automjet me targa sllovene dyshohet se ka vëzhguar viktimat e atentatit të 17 korrikut 2022 në Fushë Krujë, ku mbetën të vrarë nga breshëria e plumbave të kallashnikovit Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Bëhet me dije se pamjet e kamerave të sigurisë të administruara nga grupi hetimor në një rreze të gjerë kanë filmuar mjetin në fjalë ditën e atentatit të rëndë, i cili dyshohet se është përdorur për të informuar autorët për të gjitha lëvizjet e tyre.

Duke pasur këto pamje në duar, autoritetet shqiptare i kanë nisur një letërporosi autoriteteve sllovene, të cilave u kërkojnë ndihmë për të kuptuar më shumë se kujt i përket makina. Pikëpyetjet që ngrihen janë nëse kjo makinë është e vjedhur apo ka hyrë në territorin e vendit tonë në rrugë të ligjshme.

Kjo makinë është fiksuar nga disa kamera sigurie teksa ka vëzhguar lëvizjet e viktimave nga një servis automjetesh në zonën e “Treshit” në Kamzë e deri në afërsi të mbikalimit.

Dyshohet të kenë qenë të paktën 2 persona që kanë luajtur rolin e informatorëve të vrasësve. Pasi ka servirur informacionin tek atentatorët makina tip Polo e bardhë me targa shqiptare të vjedhura, dyshohet se është larguar në drejtim të Rinasit.

Ngjarja deri tani ka mbetur e pazbardhur, edhe pse të hënën bëhet fiks një vit nga atentati. Brilant Martinaj ishte kushëri i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit të 2022.

Si ndodhi ngjarja?

Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha u qëlluan me rreth 60 plumba kallashnikovi në mbikalimin e Fushë-Krujës teksa po udhëtonim me një automjet tip “Volswagen Passat” drejt Laçit.

Makina drejtohej nga Besmir Hoxha, ndërkohë në sediljen e parë ishte Brilant Martinaj, i cili dyshohet se ishte dhe objektivi i atentatit, ndërkohë që në sediljen e pasme ndodhej Diklen Vata.

Nga breshëria e plumbave makina mori flakë dhe për pasojë u shkrumbua. Vetëm Vata mundi të dalë nga makina, por agresorët u rikthyen sërish dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë.

Pas ngjarjes së rëndë një automjet u gjend i djegur katër kilometra nga vendi i ngjarjes në fshatin Larushkë. Brenda mjetit “Pasat” u gjendën dy kallashnikovë dhe një armë automatike MP5.

brilant martinaj ekzekutim slloveni makina

Lini një Përgjigje